English

Çmimet “Balkanika” 2008-2009, shpallen në Vlorë në ditën e Pavarësisë

Vlorë, 5 nëntor, NOA/ Milena Selimi - Veprat më të mira letrare të vendeve ballkanike, të propozuara me çmimet letrare “Balkanika” do të shpallen më 28 nëntor në qytetitn e Vlorës, në një aktivitet të mbështetur nga MTKRS dhe Bashkia e Vlorës.

Do të ketë 2 trofé, 2 fitues për veprën më të mirë të Ballkanit për vitet 2008 dhe 2009 dhe Vlora, qyteti i librit, do të jetë vendi mikpritës dhe organizator.

Prej kohësh, siç është bërë e njohur, juria shqiptare po punon për përzgjedhjen e veprës dhe autorit, që do të përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar për shpalljen e veprës më të mirë letrare për vitet 2008 dhe 2009.

Pra, veçoria e këtij edicioni, që organizohet në Shqipëri për herë të dytë, është se do të akordohen dy çmime për vitet respektive, pasi, për arsye madhore nuk u bë i mundur organizimi i eventit të vitit 2008 në kohën e duhur.

Siç është bërë e njohur që në fillim të konkurrimit, juria shqiptare ka këtë përbërje: Prof. dr. Jorgo Bulo (kryetar), Diana Çuli, Prof. dr. Ali Aliu, Preç Zogaj, Virgjil Muçi (anëtarë).

Në punën e saj juria ka marrë parasysh të gjitha veprat letrare të botuara gjatë viteve 2008 dhe 2009 në gjinitë e romanit, vëllimit me tregime, esse.

Si bazë ka shërbyer informacioni për veprat e dorëzuara në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Bibliotekën Kombëtare Universitare të Kosovës, si dhe veprat e botuara nga autorët shqiptarë në Maqedoni, Malin e Zi dhe diasporë.

Në fazën e parë të përzgjedhjes juria shqiptare e Çmimit “Balkanika” përcaktoi 10 autorët dhe veprat e mëposhtme, të cilat do të vazhdojnë konkurrimin për fazën tjetër, ku do të përcaktohen, 3 autorët dhe veprat që do të vazhdojnë konkurrimin për të përcaktuar përfaqësuesit shqiptar në konkurrimin ndërkombëtar.

Dhjetë autorët e 10 veprave më të mira, përzgjedhur nga juria kombëtare si pretendentë për përfaqësimin e Shqipërisë në Çmimin Letrar “Balkanika” për vitin 2008 janë:

1. Bahri Myftari, Djaj të lumtur, tregime

2. Ben Blushi, Të jetosh në ishull, roman

3. Ermir Nika, Net mëkatarësh, tregime

4. Jusuf Buxhovi, Libri i Gjakovës, roman

5. Mehmet Kraja, Selvitë e Tivarit, roman

6. Mihallaq Qilleri, Brenga dashurie, novela dhe tregime

7. Naum Prifti, Grirja e shpirtit, tregime

8. Piro Misha, Arratisja nga burgjet e historisë: Çdo të thotë sot të jesh shqiptar, ese

9. Viktor Canosinaj, Pianistja belge, roman

10. Visar Zhiti, Shekull tjetër, tregime

Ndërsa 10 autorët e 10 veprave më të mira, përzgjedhur nga juria kombëtare si pretendentë për përfaqësimin e Shqipërisë në Çmimin Letrar “Balkanika” për vitin 2009 janë:

1. Agron Tufa, Tenxherja, roman

2. Kim Mehmeti, Kulla dykatëshe, roman

3. Flutura Açka, Ku je?

4. Ismail Kadare, E penguara, roman

5. Koço Kosta, Absurdi, roman

6. Mira Meksi, E kuqja e demave, roman

7. Odise Kote, Vejusha, tregime dhe novela

8. Romeo Çollaku, Për shtegtarët e pak metrave katrorë, tregime

9. Teodor Laço, Mjegull, roman

10. Zija Çela, Sos një buzëqeshje, roman

Fondacioni “Balkanika” dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit “Toena” kanë zgjedhur Vlorën si vend organizator të këtij evenimenti ndërkombëtar, si një prej qyteteve më libërdashëse në botën shqiptare, por e njohur edhe për mikpritjen tradicionale të zonës.

Por, edhe resurset turistike që ofron Vlora është tamam rasti që të bëhen të njohura për pjesëmarrësit e shumtë nga vendet e tjera të Evropës Juglindore, të cilët janë krijues, studiues, botues e personalitete të shquar të rajonit tonë.

m.s/mit/NOA
KOMENTE