Tiranë, 5 nëntor, NOA/ Irma Toptani – Pa asnjë marrëveshje mes palëve ka përfunduar para pak minutash tryeza e Komitetit të Stabilizim Asociimit.
Delegacioni i Parlamentit Europian prej tetë vetësh i kryesuar nga Eduard Kukan ka propozuar në këtë tryezë ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit.
Në përfundim të takimit të komitetit të SA-së, kryesuesi i delegacionit të eurodëputetëve duke folur për përfundimin e takimit dhe mosgjetjen e një kompromisi mes palëve kundërshtare, e cilësoi këtë konflikt si një mesazh shumë të keq për Evropën.
Delegacioni i PE-së, theksoi në përfundim të takimit se u propozua ngritja e komisionit hetimor parlamentar, ndërsa për rinumërimin e fletëve të votimit duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese.
Tryeza e Komitetit të Stabilizim Asociimit u mblodh sot në Tiranë i fokusuar jo vetëm në arritjen e një kompromisi për krizën politike, por edhe në funksionimin e sistemit gjyqësor, reformat e bëra në këtë sektor, respektimin e të drejtave të njeriut, lirinë e medias si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Por, gjatë tryezës pas një sërë debatesh të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, me akuza të njohura për korrupsion, shkelje të rregullores së kuvendit, të pavarësisë së gjyqësorit me ligje që e cënojnë atë, përkatësisht mes deputetëve të opozitës Taulant Balla, Saimir Tahiri dhe asaj demokrate Albana Vokshi të pranishëm në këtë takimin e Komitetit të SA-së, eurodeputetja Doris Pack ka braktisu në mesditë këtë takim duke deklaruar se “po të ishte shqiptare do t’i vinte turp nga këto akuza”.
Madje Pack, e cilësoi këtë si papërgjegjshmëri duke vërejtur se pikërisht në një tryezë ku diskutohen fatet e vendit, forcat politike vazhdojnë ende të përplasen me akuza të njohura, një situatë kjo e patolerueshme sipas eurodeputetes Doris Pack.
Më herët gjatë këtij takimi eurodeputeti italian, Antonio Cancian përsëriti thirrjen që Shqipëria duhet t’i japë fund krizës politike dhe të fokusohet në çështje që janë prioritare për zhvillimin e vendit dhe demokracisë.
Madje Cancian, theksoi se rezoluta e PE-së për Shqiperine ishte një pikë e fortë në të cilën palët duhet të mbështeteshin për të shkuar drejt zgjidhjes se krizës.
Eurodeputeti italian vuri theksin tek ekonomia ku papunësia theksoi ai, “është armiku më i madh në masën 13%”.
Një ditë më parë eurodeputetët i bënë thirrje politikës në Shqipëri që të gjejnë kompromis për daljen nga kriza në të cilën hyri vendi pas zgjedhjeve te 28 Qershorit të vitit të shkuar.
Ndërsa vendimi për heqjen e vizave pritet të jetë pozitiv në 8 nëntor, duket qartë se opinioni i KE-së për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria do të jetë kundër, një vendim që shtyn për një kohë të pacaktuar bisedimet për integrimin e vendit në BE, pasi kusht i rënëdësishëm për marrjen e statusit kandidat është kriteri politik, një kriter të cilin Shqipëria nuk e përmbush, pasi po përjeton një krizë politike mëse njëvjeçare qysh prej zgjedhjeve të fundit parlamentare të 28 qershorit të vitit 2019.
mit/NOA