Tiranë, 5 nëntor, NOA – “Kemi 20 vjet që shohim të njëjtën praktikë. Jam shumë e zhgënjyer, po tregoni mungesë serioziteti. Të isha shqiptare, do ndihesha e turpëruar”.
Me këto fjalë është larguar nga mbledhja e Komitetit të përbashkët të Stabilizim-Asocimit për Shqipërinë, europarlamentarja Doris Pack, ndërsa ishte e pranishme gjatë sherrit që plasi në këtë takim mes deputetëve socialistë Taulant Balla e Saimir Tahiri dhe deputetes demokrate, Albana Vokshi e u përpoq që ta ndalte atë, në të mirë të vijimit normal të tij.
Por mesa duket nuk ka qenë e mundur dhe Doris Pack ka dalë mjaft e irrituar nga salla.
Mësohet se të tre deputetët kanë nisur debatin e tyre para delegacionit të Parlamentit Evropian, ndërsa socialisti Taulant Balla nisi të hedhë akuzat se mazhoranca është e zhytur në korrupsion dhe se të korruptuar, janë edhe persona të tjerë nga shumica. Ndërsa ka reaguar menjëherë deputetja Vokshi, e cila ka deklaruar se është “në respekt të ligjit”.
“Por Vokshi tani duhet të ishe në prokurori dhe nuk ke shkuar”, iu drejtua asaj deputeti socialist Saimir Tahiri, duke ngjallur menjëherë reagimin e përfaqësueses demokrate, e cila tha se deklaratat e tij janë vetëm shpifje.
Europarlamentarja Doris Pack ndërhyri në të tilla momente të nxehta të mbledhjes duke shqiptuar saktësisht fjalët: Të isha shqiptare, do ndihesha e turpëruar!”.
n.e/NOA