Botim i ri/ Arumunët e Shqipërisë si latinë të harruar - Shënime për librin “Latinët e harruar” të Valentin Mustakës, botim i “Naimi”-shtëpi botuese dhe studio letrare
Tiranë, 5 Nëntor 2010 NOA - Ka shumë debate për origjinën e arumunëve në Ballkan, përfshi edhe Shqipërinë. Studiuesi Valentin Mustaka, pëmes librit të ri nën titullin “Latinët e harruar”, jep një përgjigje për këtë debat, duke u mbështëtur në një literaturë të gjerë, kryesisht perëndimore.
Në këtë këndvështrim, libri i tij mund të konsiderohet një lloj “antologjie” për origjinën dhe historinë e arumunëve të Shqipërisë. Siç duket dhe nga titulli, teza e tij është origjina latine, romake, e arumunëve të Shqipërisë, prurje që lidhen me ushtritë e Cezarit gjatë luftërave në Ballkan ose kolonë të dërguar për popullimin e këtij rajoni.
Duke cituar fragmente nga libri “Akoma edhe sot, në Shqipëri e në Pind, është legjenda antike që tregon romanizimin. Është populli që pyet Pindin se: Thoni, male të larta/Thoni, fusha, thoni karavane/Trego Pind, mbushur me dele/Tregoni ju, ç’farë dini për ne/Tregoni popullin, nga të cilët ne kemi ardhur/ Meqenëse nga të tjerët/Nuk kemi mundësinë të dimë të vërtetën...”, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së qytetit, Vangjush Dako, dhe ambasadori i Rumanisë në Shqipëri. Në promovimin e librit, organizuar nga shoqata e shkrimtare të Durrësit në mjediset e “Torras”, autori Valentin Mustaka prezantoi si shtojcë edhe veprën e Antonio Baldaçit “Arumunët e Shqipërisë”, përkthyer dhe përgatitur për botim nga origjinali italisht nga Anna Tuçi e Valentin Mustaka.
Mustaka, ndryshe nga autorë që mbështësin, për shembull, origjinën greke, pra, si grekë të romanizuar, i mbahet idesë se arumunët “janë brezi i ushtarëve të Cezarit, por, edhe n.q.s kjo nuk do të ishte e vërtetë, ata janë sigurisht brezat e ushtarëve të konsujve Anicio dhe Paolo Emilio, që në emër të Romës pushtuan dy shekuj para Krishtit Ilirinë dhe Maqedoninë, duke përgatitur rrugën drejt Dacias”.
Në libër citohen autorë dhe studiues të shumtë si Gjergj Fishta, që shprehimisht në një artikull të tij: “Në mjes të komit shqyptar jeton edhe nji popull tjetër qi nuk asht nji fisit me ne, e ky popull janë Gogët, a se, (si i thrasin te huejt) Kucovllahët.
Tregime këso dore munden me vjeftë si përpilim të historis komtare, ashtu edhe për studim të gjuhës shqype”. Ndërsa Pukëvili thotë: “I kthehem në pjesë të tjera të veprës sime njohjes së këtij rajoni të Pindit (Zagoria), që është krejtësisht i banuar nga një komb, ngulitja e të cilit në Greqi (Shqipëri) daton qysh prej kohëve të fundit të Perandorisë së Poshtme. Diku tjetër kemi provuar historikisht, sipas Tit Livit dhe Cezarit, se shpërngulja e Vllehve për në Shqipëri pati si shkak parësor shpërnguljen e shqiptarëve për në Itali nga Pal-Emili”. Gazetari me famë botërore, Indro Montanelli, shkruan: “Arumunët, d.m.th., latinët, me dhuntitë e tyre për ekuilibër, të zellit metodik për punën, të lidhjes me tokën, si kundërpeshë ndaj prirjeve shpërbërëse, qenderikëse, spekuluese... Ky arumuni është një element i lënë përgjithësisht pas dore nga biografët e Shqipërisë, por mbi të cilin me të drejtë Baldaçi tërheq vëmendjen në librin e tij klasik “L’Albania”- Shqipëria, që mbetet më i ploti dhe objektivi mes gjithë atyre, në çfarëdo lloj gjuhe, që janë shkruar për këtë çështje për Shqipërinë.
Këtu, në Shqipëri, këta arumunë përbëjnë një pakicë, një pakicë të qetë dhe punëdashëse, që marrin pjesë aktivisht në jetën e vendit. Por kjo pakicë nuk është veçse gjymtyra e cunguar e një njësie etnie në Pind. Janë popullsi rumune, ajo çfarë ka mbetur nga Vllahia e Madhe, të pastra nga ana racore, nga ana kulturore. Ju kundërvunë dhunës turke dhe, duke derdhur gjak, mbetën të pavarur, popullsi rumune, pra, romane, pra, me ndjenjën e së drejtës dhe të shtetit, të rrënjosur në ndërgjegje, me dashurinë kryeneçe për tokën dhe punën.
Që janë dhe që ndihen romanë. Nga të gjithë, ata që jetojnë në Shqipëri kanë qenë më fatlumit: në fakt, ata kanë katër shkolla dhe shtatë kisha. Sepse në të gjithë Ballkanin, shqiptarët janë, pa asnjë dyshim, më të afërtit me këtë botë latine, dhe më humanët”. Valentin Mustaka citon edhe autorë të tjerë si: Nikolla Jorga, Edvin Jacques, Serge Metais, Oliver Jens Schmitt, William Martin Lake, Milan Shuflaj, Zef Mirdita, Mathieu Aref, Nicholas Hommond, Dhori Fallo, Sami Frashëri, Fatos Lubonja,, C. Burileanu etj.
Më përpara Valentin Mustaka ka botuar mjaft artikuj dhe libra si veprën studimore me dy vëllime “Nëpër labirintet e historisë së arumunëve”.
Siç e vlerësoi edhe kritiku Perikli Jorgoni, “nga studimi i vëmendshëm i gjithë veprës publicistike e studimeve të Valentin Mustakës, arrijmë në përfundimin se kemi të bëjmë me një hulumtonjës me kërkesa shkencore, me një studionjës që çështjet që parashtron i mbështet në fakte e dokumente historike, në një hulumtim të gjatë nëpër trevat ku janë përqendruar arumunët, me njohjen e plotë të historisë, folklorit, gjuhës, etnografisë e thesarit folklorik të tyre dhe, mbi të gjitha, të literaturës vendase dhe të huaj mbi këtë argument”.
Niko Lirëza
Skeda e librit
Botimi i ri/ Vitrina e librit
Titulli: Latinët e harruar
Autori: Valentin Mustaka
Shtëpia Botuese: “Naimi” – Shtëpi botuese & studio letrare
Redaktor: Stefan Kume
Gjinia: histori
Nr. i faqeve: 304
Çmimi: 500 lekë
ISBN: 978-99956-859-6-6
Viti i botimit: 2010
Lufta për varret midis arumunëve dhe filogrekëve në fillim të shekullit 20-të
Dokumenti
Çështja e varrezave vllehe, viti 1906
Komuniteti ynë nuk disponon një vend (ambient) tonin për varreza. Nevoja për varreza ishte një domosdoshmëri për komunitetin arumun në vitin 1906. Meqenëse dhespoti grek ndaloi atëhere varrimin e arumunëve tonë në varrezat e përbashkëta e të gjithë të krishterëve ortodoksë nga qyteti i Korçës, ku varroseshin atëhere të gjithë ortodoksët e krishterë. Morëm lejen me mirëkuptim që të disponojë një copë truall (tokë) që ishte e komunitetit evangjelist për të varrosur të vdekurit, deri sa edhe komuniteti ynë të disponojë një tyren për varreza. Ky copë trualli gjendet në rrëzë të kodrës të profetit Ilia. Komuniteti Evangjelik prej dhjetëra vjetësh kishte blerë atë truall me dokumente zyrtare nga përfaqësuesi i vakëfeve otomane, i cili përfaqësues pretendon se e gjithë kodra e Shën Ilias u përket vakëfeve otomane. Gjithashtu, komuniteti grek pretendon se i përket kishës Shën Ilia (vendosur në majë të kodrës).
Muarëm lejen si nga komuniteti Evangjelik me aprovimin e autoriteteve lokale, në 27 korrik 1906, kur deshëm të varrosnim të ndjerin Ilian Gacej, protestuan grekët kundra nesh dhe me forcë deshën të na ndalonin, por mundëm ta varrosnim me ndërhyrjen e policisë dhe të xhandarmërisë.
Me qenë se toka është shkëmbor dhe me shumë zor rrëmohet, vumë punëtorë që të rrëmojnë tokën në thellësi prej 1.50 m. Pasi kaluan nja tre muaj, protestuan grekët dhe më hodhën në gjyq, sepse po punoja në pronën e tyre. Hyra në gjyq, në të cilin morën pjesë dhe komuniteti Evangjelik si pronar i trualli dhe epitropi i pronave të vakëfeve muslimane, nga i cili u ble toka nga ana e komunitetit Evangjelist. Gjyqi përfundoi në favorin tonë dhe kështu që nuk u shqetësuam më nga ana e grekëve. Pas një viti reklamuan Evangjelistët që ta boshatisnim (ta lironim) tokën, sepse kishin nevojë për të. Ndonëse unë u përgjigja atyre se, siç kishim rënë dakord (në marrëveshje) që në fillim, duhej të kenë durim, deri sa dhe shpenzuam më shumë se 600 lei të reja të gjejmë (një vend tjetër). Me gjithë këtë u interesova që të blinim tokën që nën varrezat tona në një shtrirje prej 4.000 m2 duke patur fasadën në rrugën kryesore Korçë-Manastir, për të cilën dhashë 200 lira( flori turke), por nuk pata sukses, sepse kërkonin më shumë prej 500 lira. E pamundur të gjenim në tjetër çarë (vend), me qenë se të gjithë pronarët e tokave janë grekomanë në dhe asnjëri nuk do të na shesë me asnjë çmim. Dëshironim dhe ne nga zemra që të mos i sillnim telashe (shqetësime) dhe pengesa K. Evangjelist, u jemi drejtuar me peticion autoriteteve lokale (vendase) që të na japin një pjesë nga trualli i kodrës së Profetit Ilia, tokë jo produktive e pa rrethuar, një copë tokëbosh dhe jo produktive, dhe e dërguam lutjen tonë më lart. Ardhi përgjigje e favorshme (pozitive) që të na japin një pjesë rreth 10.000 m2, pranë varrezave aktuale,duke paguar për çdo vit një shumë të vogël parash qeverisë dhe në të njejtën kohë të shlyejmë epitropin e vakëfeve me një shumë të papërcaktuar me qenë se ai është pronar në të drejtë të ta shpërblejmë me të ardhurat e këtyre tokave.
Kur u emërua një komision që të ndajë tokën, midis të cilëve ishte edhe epitropi i vakëfeve, atëhere ai deklaroj se kur fituat gjyqin nuk dërgoi tapinë (tablikun) në Mitropoli nga shkaku se nuk kishte para të shpenzonte. Me qenë se ne kishim (më shumë) nevojë më të madhe se Ai që të fitohej definitivisht ky gjyq, paguam shumën që nevojitej rreth 80 lei, duke u dërguar tablikun(tapin) grekëve, ata bënë rekurs në Bitola, ku u detyrova dhe unë të vete duke marrës përsipër të paguaj dhe shpenzimet e epitropit të vakëfeve në ngarkim të komunitetit tonë.
Dita e paraqitjes ishte më 26 shtator. Si vajtëm në Manastir, morëm (pajtuam) si përfaqësuesin tonë dhe të epitropit të vakëfeve avokatët Ferit beun dhe Karaiman efendi.
Gjyqi u shty për ditën e 17 Tetor.
Shtator 1912
(Letër e Papa Llambro Ballamaçit, e shkruar në vitin 1912, marrë prej autorit të librit “Latinët e harruar”, Valentin Mustaka, nga arkivi i familjes Ballamaçi, 04.05.1992).
e.r/NOA