Familjarët, shoqëria dhe opozita nuk ka nevojë për ngushëllime qeveritare, por për të vërtetën dhe drejtësinë e munguar, se ndryshe do të më tingëllojnë si të vërteta gjithmonë në vesh fjalët e një plaku të vjetër në Kukës, tek përcillnim në kortezhin e gjatë njerëzor të ndjerin kryetar të komunës Tërthorë, se kjo qeveri biri im ete vret natën dhe të qan ditën
Nga Gazmir Bizhga
Deputet, Partia Socialiste
Përpara nëntë ditësh u vra në derën e shtëpisë së tij në mbrëmje Remzi Veseli i zgjedhur në dy mandate rresht si kryetar i komunës Tërthorë, përfaqësues i PS. Ende pa u përcjellë për në banesën e fundit i ndjeri nga familjarët dhe miqtë, ministri ynë i brendshëm deklaroi se vrasja nuk ishte për motive politike, por nuk ka thënë ende deri më sot se cili është motivi dhe autorët e vërtetë.
Përpara një viti u vra po në derën e shtëpisë së tij në mbrëmje deputeti Fatmir Xhindi baba i tre fëmijëve, i zgjedhur në tre mandate rresht në Kuvend si përfaqësues i PS. Një njeri model, i respektuar nga zgjedhësit dhe komuniteti i tij e që në jetën e tij nuk kishte patur kurrë konflikte. Ende sot e kësaj dite as ministri dhe as qeveria nuk na thonë se cili është motivi dhe autori. Përpara dy muajsh u vra në detyrë në mbrëmje një inspektor i policisë rrugore në Shkodër, baba i dy fëmijëve dhe ende askush nga ministria nuk di që të thotë se cili është autori dhe motivi.
Përpara pesë muajsh u zhduk nga familja e saj pa asnjë gjurmë dhe asnjë motiv një vajzë e vogël në Zapod të Kukësit dhe qeveria nuk di të thotë se cili është motivi i zhdukjes. Përpara pak ditësh u bënë katër vrasje në një ditë dhe ende asnjë autor nuk është kapur dhe Ministria e Brendshme thotë se ka gjetur gëzhojat, por jo autorët. Përpara pesë ditësh një mësuese të gjimnazit në Vlore i hidhet makina në erë para derës së shtëpisë dhe dy ditë më pas një oficeri të policisë gjyqësore në Sarandë i ndodh po e njëjta gjë dhe askush nga Ministria e Brendshme nuk thotë se cilët janë autorët.
Brenda një jave janë gjashtë akte terroriste me eksploziv ndaj jetës së njeriut dhe pronës të gjitha pa autor. Brenda dhjetë muajsh janë 91 të vrarë në vend me arme zjarri, pjesa më e madhe e tyre ngjarje të pazbuluara dhe pa autorë, pa përmendur këtu aksidentet e pafund rrugore e ato në punë. Çdo ditë ka akte grabitjesh të pronës dhe dhunës ndaj qytetarëve. Bile dhe sot në mëngjes ndodhi një i ngjashëm në Lezhë. E gjithë kjo panoramë të nderuar kolegë nuk ndodh as në Afganistan e as në Irak, por këtu tek ne, bile edhe në mes të kryeqytetit ku para tre muajsh vetëm 300 m nga kjo sallë u bë një vrasje tipike mafioze dhe ende Ministri i Brendshëm nuk na ka thënë se cilët janë autorët dhe motivet.
Përballë gjithë kësaj situate ku policia e shtetit është e pa aftë të mbrojë shtetasit kemi raportet rozë që na vijnë nga Ministria e Brendshme shoqëruar me spektakle si ai para pak ditësh në qendër të Tiranës ku ishin angazhuar forcat speciale e policia për të kapur kriminele imagjinare, se ata të vërtetët nuk i zënë dot. Nuk i zënë dot se drejtuesit e tyre politike janë të angazhuar për të mbrojtur aferat e qeverisë.
***
Shqiptarët nuk i paguajnë drejtuesit e Policisë së Shtetit për të bërë shfaqje si ai që bëtë në qendër të Tiranës që më së shumti ngjante me një film aksion për fëmijë. As ju nuk ju paguajnë për producent apo regjisor Hollivudi por për t’ju siguruar jetën e pronën, detyrë që nuk po e bëni aspak. Fëmijët shqiptarë nuk kanë nevojë që ti shkoni ju në shkolla si na bënin dikur me “xhaxhi veteranin” e t’ju tregoni se nga është rruga për në Europe e sa ditë do të mund të rrinë atje pa vizë, por t’ju siguronit jetën e tyre dhe të mësuesve që mos ta pësojnë dhe ata si Bleona e vogël, që prindërit e të afërmit e kërkojnë të përmalluar. Policët e thjeshtë nuk kanë nevojë për spotet tuaja të reklamës, por për dietat e orët të papaguara nga qeveria për punën jashtë orarit. Shqiptarët nuk kanë nevojë për drejtues të akuzuar të Policisë së Shtetit për trafik e kontrabandë nafte nga vetë ish ministra të kësaj qeverie e që e kanë kthyer policinë e shtetit në një rrjet nepotik të familjes politike të Kryeministrit, por për një polici në mbrojtje të tyre, që ju nuk do të mundni ta përdorni siç bëtë në zgjedhjet e fundit për të vjedhur votat e shqiptarëve apo siç bëtë në Hamallaj përpara pak kohësh, ku policia u përdor për të përzënë fshatarët nga shtëpitë për llogari të klanit qeveritar.
***
Shqiptarët duan të dinë se kush janë vrasësit e deputetit Fatmir Xhindi, cili është motivi. Kush janë vrasësit e Remzi Veselit, cila është arsyeja e vërtetë. Këtë duan të dinë prej jush, por ju këtë nuk mund ta bëni dot. Ju dilni e deklaroni se jeni afër autorëve, por nuk na thoni se kush janë. Nuk dyshoj që jeni afër autorëve, bile nuk kam dyshuar asnjëherë për këtë gjë, se po të mos ishin autorët afër kësaj qeverie nuk kishte sesi të vrisnin në prag të shtëpisë dy të zgjedhur të popullit, që ishin figura model për shoqërinë, por jo për qeverinë. Ata dhe mund ti fshihen drejtësisë për aq kohë sa është kjo qeveri, por nuk do mund t’i fshihen dot përgjithmonë. Ata do të dalin një ditë para drejtësisë dhe do ta thonë motivin, arsyen apo njerëzit që i shtynë për krimin. E vërteta do të dalë një ditë. Familjarët, shoqëria dhe opozita nuk ka nevojë për ngushëllime qeveritare, por për të vërtetën dhe drejtësinë e munguar, se ndryshe do të më tingëllojnë si të vërteta gjithmonë në vesh fjalët e një plaku të vjetër në Kukës, tek përcillnim në kortezhin e gjatë njerëzor të ndjerin kryetar të komunës Tërthorë, se kjo qeveri biri im e te vret natën dhe të qan ditën.