Tiranë, 5 nëntor, NOA – “Prej 11 ditësh janë shkelur të gjitha afatet për listat paraprake. Lulëzim Basha, ministri i Brendshëm, është përgjegjësi i drejtpërdrejtë për fillimin e deformimit të procesit të ardhshëm zgjedhor, në të njëjtën rrugë pa krye që deformoi procesin e shkuar zgjedhor”.
Kështu u shpreh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi për qytetarët, duke pohuar se “nuk ka asnjë transparencë për lëvizjet e zgjedhësve nga lista në listë, nga njësia në njësi”.
“OSBE nuk mund të heshtë më për këtë çështje dhe as mund të mjaftohet më me përsëritjen e recetës së vjetër të reformës zgjedhore, e cila është një kapitull krejt më vete dhe nuk ka asnjë efekt çudibërës mbi kapitujt e tjerë që kanë të bëjnë me garantimin e procesit zgjedhor në Shqipëri. Unë i kam kërkuar OSBE-së të garantojë transparencën e domosdoshme për një projekt i cili monitorohet drejtpërdrejtë prej saj në drejtorinë e përgjithshme të gjendjes civile dhe këtë ia rikërkoj sot publikisht, sepse ky projekt rrezikon të keqpërdoret nga Sali Berisha, përmes Lulëzim Bashës dhe Ferdinand Pones, për të rimanipuluar procesin zgjedhor.
Nuk dua të hyj në të gjitha detajet, këto detaje ne do ti bëjmë publike sistematikisht, por është fare e qartë se jemi përpara të njëjtave simptoma, të të njëjtës sëmundje, që tradicionalisht, por posaçërisht në zgjedhjet e fundit shkatërroi organizmin e sistemit zgjedhor dhe gjithë procesin zgjedhor në pikëpamje të garancive që siç kanë munguar, vazhdojnë të mungojnë. Por mund të them vetëm që drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile është sot një bunker pa asnjë akses dhe mundësi për transparencë, si askund në botën e qytetëruar, demokratike, ku aspirojmë të integrohemi.
Vetëm një grusht njerëzish të komanduar nga Lulëzim Basha kanë kompetencë të hyjnë në sistem dhe askush nuk i kontrollon. Ndërkohë që asnjë njësi vendore nuk di se kush janë qytetarët që largohen prej asaj njësie dhe nuk mund ta bëjë këtë verifikim në mënyrë sistematike si kudo në botë.
Thënë kjo si një shqetësim i ditëve të fundit, që rëndohet dita ditës dhe që për ne nuk përbën asnjë surprizë, pasi jemi plotësisht të vetëdijshëm, se e gjithë përpjekja për të penguar transparencën ka të bëjë me vullnetin për të deformuar procesin e ardhshëm zgjedhor, dua të ritheksoj se kemi bërë një ofertë të re për transparencën që zgjidh krizën dhe i hap rrugë reformës zgjedhore. Kjo ofertë e re duhet lexuar, duhet kuptuar dhe duhet pranuar nga qeveria sepse s’ka asnjë mundësi tjetër për ta zgjidhur këtë krizë, që i ka rrënjët tek kutitë e Ruzhdieve të 28 qershorit të shkuar dhe që pa pikë dyshimi është me një fuqi gravitacionale mbi procesin e ardhshëm zgjedhor. Sigurisht s’mund të ndodhë ndryshe, në kushtet kur zgjedhjet deformohen, kur vota e qytetarëve manipulohet, kur qeveria nuk buron nga vullneti i zgjedhësve, kur krimi dhe korrupsioni diktojnë procesin qeverisës, nga çka ndodhur praktikisht me qëndrimin e Komisionit Europian në raport me aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat. Qëndrimi i bërë publik nëpërmjet mediave është realisht një qëndrim jashtëzakonisht shqetësues dhe i mbështetur mbi të vërteta të pakontestueshme, lidhur me krimin, lidhur me korrupsionin, lidhur me krizën që praktikisht ja bëjnë të pamundur Shqipërisë trenin e integrimit edhe kësaj here. Përsëri Shqipëria mbetet në klasë, siç mbeti në klasë me vite me radhë për liberalizmin e vizave, për shkak të Sali Berishës, për shkak se Sali Berisha ka dështuar, për shkak se qeveria e Sali Berishës nuk qeveris për interesat e shqiptarëve, por sundon për interesat e oborrtarëve të pushtetit të tij.
Pasojë e drejtpërdrejtë, e prekshme dhe e dukshme, shembullore, është edhe ajo që ndodhi me dekretet e Presidentit të Republikës, për të cilat u shkelën të gjitha afatet kushtetuese me justifikimin banal të spikeres së kuvendit, se procesverbali i komisionit të ligjeve nuk qenka zbardhur, ndërkohë që procesverbali i zbardhur ishte në duart e të tërë deputetëve. Por kultura e gënjeshtrës, kultura e shpifjes, kultura e mashtrimit, kultura e karagjozllëkut, është bërë kulturë sunduese, për shkak të një qeveria që nuk ka instrumenta të tjerë për t’ju imponuar publikut që nuk e ka zgjedhur këtë qeveri, por që thjesht është ndaluar të zgjedhë qeverinë që ka dëshiruar. Në këtë atmosferë antidemokratike, pandëshkueshmërie totale Shqipëria zhytet në batakun e një krize të gjithanshme nga e cila e nxjerr vetëm një proces zgjedhor i garantuar, zgjedhje të parakohshme për një qeveri të re dhe për një model të ri tërësisht qeverisjeje dhe zhvillimi të vendit.
Në lidhje me ofertën, ju z. Rama thoni se është një ofertë e re dhe kërkoni nga mazhorancë që ajo të lexohet dhe të kuptohet më drejtë. Që ne media, mazhoranca dhe opinioni publik ta kuptojmë më qartë, ku qëndron e reja e kësaj oferte? Sepse ju thatë që kemi një përgjigje të vjetër për ofertën tonë të re. Kreu i delegacionit të PE kërkoi dje nga forcat politike që të jenë më të përgjegjshme dhe që të mos rrezikojnë që progres raporti i vitit të ardhshëm të jetë i njëjtë me atë që do të paraqitet javën e ardhshme, duhet bërë me doemos reforma zgjedhore dhe PS duhet të ulet në tryezë për t’u bërë pjesë e kësaj reforme. A do ta dëgjoni apelin e tyre?
Ne dëgjojmë të gjitha apelet që i bëhen Shqipërisë dhe marrim pa asnjë dyshim të gjithë pjesën që na takon dhe përgjegjësinë që na takon për të luajtur siç duhet rolin tonë në funksion të interesave të Shqipërisë dhe procesit të integrimit. Për këtë arsye ne kemi vënë në tavolinë një ofertë të re që bazohet mot a mot, fjalë për fjalë në rezolutën e PE. Oferta jonë është as më shumë e as më pak por implementimi i rezolutës në realitetin e parlamentit shqiptar përmes një hetimi i cili garanton transparencën e nevojshme dhe sigurisht i hap rrugë pastaj edhe procesit të reformës zgjedhore, pasi të ketë hapur kutitë e materialeve zgjedhore.
Të mërkurën që ishte mbledhja e grupit parlamentar pamë disa nga deputetët tuaj që shfaqën shqetësimin për një frymë autoritarizmi që ka në PS për marrjen e vendimeve dhe shqetësimin se shumë vendime në PS merren pa i pyetur ata. A keni frikë se një situatë e tillë mund të çojë në largimin e deputetëve të tjerë në PS njësoj si rasti i zotit Tavo? Do doja të sillja në vëmendje zgjedhjet e vitit 2009 kur PS u angazhua në një betejë paraelektorale në lidhje me kartat e identitetit ku thatë se s’po bëheshin gati. Ju sot po sillni në vëmendje një çështje tjetër që ka të bëjë me listat paraprake mos është kjo një çështje thjesht për të krijuar një çështje?
Së pari, ju thatë pamë, ju nuk patë gjë hiç sepse grupi parlamentar është mbledhur normalisht dhe ju nuk dëgjuat gjë hiç sepse grupi parlamentar ka folur në këtë seli si zakonisht. Ju keni lexuar nga ata që e kanë treguar sipas dëshirës së tyre, përfshirë dhe ju të TVSH, një mbledhje të grupit parlamentar të deformuar substancialisht nga mediat e interesuara për ta bërë këtë deformim. Kështu s’ka asnjë shqetësim të kësaj natyre.
Pyetja e dytë është e njëjtë dhe ka përgjigjen e parë.
Javën që kaloi u largua nga grupi parlamentar i PS deputeti Vangjel Tavo. Ndërkohë që ky nuk është i pari që largohet, por më parë edhe Shpëtim Idrizi. Në PS kush e mban përgjegjësinë për këto largime?
Përgjegjësia për braktisjen e forcës politike për arsye që nuk kanë të bëjnë me parime dhe vlera të kësaj force politike, është tërësisht individuale.
Në ofertën tuaj ju thoni dhe e përsërisni që kërkoni hetimin e materialeve zgjedhore. Ndërkohë në përgjigjen që ju ka kthyer PD ju ka pyetur nëse ju hiqni dorë nga fletët e votimit. Në rast se ju hiqni dorë i bie që të zbatohet neni 178 i Kushtetutës, që mesa duket ky është ngërçi i përhershëm mes dy palëve.
Neni 178 i Kodit Zgjedhor nuk është mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i jep të drejtën opozitës të kryejë një hetim parlamentar për realizmin e të cilit ne kemi shkruar e zezë mbi të bardhë atë që kërkojmë. Ajo që kërkojmë është implementimi i rezolutës së PE.
Dje ish kryetari i PS zoti Nano u ofruar si ndërmjetës mes jush dhe zotit Berisha për zgjidhjen e ngërçit politik. A do ta pranonit zotin Nano si ndërmjetës?
Është kontingjenti i televizionit Klan.
Ju denoncuat vonesat ose parregullsitë në lidhje me infrastrukturën zgjedhore, në listat dhe regjistrin zgjedhor duke bërë përgjegjës ministrin Lulëzim Basha. Ndërkohë që ju keni refuzuar tryezën e reformës zgjedhore. Pra kemi një mospërputhje të asaj çka kërkoni nga mazhoranca dhe ndihmesës dhe kontributit tuaj për ta përmbushur këtë mision me të cilin do shkohet në zgjedhje.
Kjo nuk ka lidhje. Unë e kam thënë dhe nuk do rresht së përsërituri. Problemi i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është kodi zgjedhor por është mungesa e zbatimit të kodit zgjedhor. Siç është problemi i demokracisë në Shqipëri, problemi i konkurrencës në Shqipëri, problemi i standardeve në Shqipëri. Jo një problem i ligjeve të shkruara, por problem i moszbatimit të tyre. Ajo që unë nënvizova sot është moszbatim i ligjit ekzistues. Një tjetër shembull flagrant i moszbatimit të ligjit ekzistues. Një tjetër arsye për të ngritur pyetjen retorike përse na duhet një ligj i ri kur ne nuk zbatojmë ligjet që kemi.
Në datë 8 dhe 9 do të kemi dy vendime diametralisht të kundërta. Njëri për liberalizmin e vizave dhe tjetri jo marrjen e statusit. Ndërkohë që ju keni këmbëngulur që merita për liberalizmin e vizave nuk është vetëm meritë e qeverisë por ka kontribut edhe opozita.
Jo vetëm që nuk është meritë e qeverisë por as nuk ka lidhje qeveria fare. As qeveria dhe as opozita nuk kanë meritën kryesore në procesin e liberalizmit. Është meritë e Europës që i shkoi deri në fund një projekti europian të cilin qeveria shqiptare e vonoi sa mundi me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e saj. Këto dy vendime nuk janë diametralisht të kundërta. Janë në koherencë të plotë me projektin evropian. Europa heq murin e vizave për shqiptarët, por i vë vizë aplikimit të qeverisë shqiptare për statusin e kandidatit për arsye të krimit, të korrupsionit dhe të një krizës politike për të cilën ne bëjmë përgjegjës ekskluziv Sali Berishën, i cili ka dështuar në garantimin e zgjedhjeve të pakontestueshme dhe në garantimin e transparencës dhe të kushtetutshmërisë në raport me procesin zgjedhor siç ka dështuar dhe dështon përditë në zbatimin e ligjit. Por në këtë rast jo për arsye se nuk di por për arsye se nuk do.
Dua të bëjë një parantezë në lidhje me këtë pyetje. Në kushtet për të udhëtuar jashtë shtetit duhen kartë identiteti, pasaportë biometrike, regjistër elektronik dhe sistemi TIM në kontrollin në kufi. Ndërsa për të luftuar korrupsioni do të duhet reformat në gjyqësor që opozita ka rreth një vit e gjysmë që nuk merr pjesë.
Është e habitshme sesi është kaq e vështirë për ta kuptuar apo ndoshta për arsye se duhet prodhuar lajmi, nuk duhet kuptuar kjo vërtetë shumë e thjeshtë. Çfarë reforme zgjedhore dhe çfarë reforme në gjyqësor duhet për të zbatuar Kushtetutën dhe për të zgjedhur kandidatët për Gjykatën Kushtetuese? Cila reformë mungon dhe cili ligj mungon që dekretet e presidentit të trajtohen në kohë dhe të miratohen në kohë nga parlamentit i Shqipërisë? Cili ligje e pengon kryetaren e Kuvendit të zbatojë Kushtetutën në raport me dekretet? Në bazë të cilit ligj kryetarja e kuvendit gënjen, shpif, mashtron, abuzon duke arritur deri në karagjozllëkun që të thotë: nuk e kemi zbardhur procesverbalin e komisionit, ndërkohë që procesverbali është në duart e deputetëve? Nuk janë ligjet që i mungojnë Shqipërisë, është zbatimi i ligjit që e ka katandisur demokracinë dhe jetën në Shqipëri në një rrumpallë të vërtetë për këdo që nuk jeton në oborrin e pushtetit.
KE ka bërë fajtore të dyja palët përgjegjëse, a mund të na thoni cila janë përgjegjësitë e mazhorancës në mos marrjen e këtij statusi dhe përgjegjësitë e opozitës?
Më vjen shumë keq, por referuar edhe raportit të dhënë besnikërisht mbi qëndrimet e komisionit nga televizioni juaj, unë nënvizoj se në të gjitha faqet e atij raporti ka përgjegjësi të qarta. Krimi, korrupsioni nuk janë përgjegjësi të opozitës, asgjëkundi, janë përgjegjësi të qeverisë. Në qoftë se në Shqipëri ka një rritje eksponenciale të krimit kjo është përgjegjësi e qeverisë. Kjo është përgjegjësi e atij Ministrit të Brendshëm që bën teatrin e liberalizmit të vizave ndërkohë që duhet të përgjigjet për vrasje deputetësh dhe kryekomunarësh opozitar. Të përgjigjet për shifra të panjohura më parë në realitetin e krimit shqiptar, përveçse vitit 1997, me vrasje e me grabitje, me dhunë e me të tjera krime ndaj personit që kanë kaluar 30% më shumë sesa vitin e shkuar. Korrupsioni dhe të gjitha ato raste që ne kemi denoncuar dhe vazhdojmë të denoncojmë, ku përfshihen drejtpërdrejtë ministra, nuk është përgjegjësi e opozitës, është përgjegjësi e qeverisë. Ashtu sikundër gjithë i gjithë sistemi i korruptuar qeverisës vertikalisht është përgjegjësi e qeverisë. Në tërësi mos zbatimi i ligjit, pandëshkueshmëria e kthyer në kulturë në këtë vend, me një kryeministër që pasi Ministrja e Integrimit del e implikuar në historira që do të kishin rrënqethur botën mbarë në një vend demokratik, del dhe thotë: më duket një kandidate e mirë për presidente.
Përsa i përket krizës politike sigurisht që komisionit nuk i takon të marri një pozicion gjykatësi, kjo është kultura perëndimore e komunikimit. Por është fare e qartë se kriza politike është përsëri një përgjegjësi e qeverisë, kudo, kurdoherë. Është qeveria e cila duhet të administrojë punët e vendit dhe duhet të garantojë zgjidhjen e të gjitha krizave. Përndryshe për çfarë qëndron aty! Ajo qeveri duke qëndruar aty është një shkak më shumë për moszgjidhjen e krizës. Fajësimi i opozitës nuk është në kulturën demokratike të perëndimit, nuk ekziston opozita si problem, kur bëhet fjalë për një opozitë që nuk është sigurisht e dhunshme. Fajësimi i opozitës vjen si reminishencë e kulturës totalitare, e armikut të brendshëm e kështu me radhë dhe është pjesë e betejës së përditshme të Sali Berishës që ka dështuar. Sali Berisha ka dështuar. Shqipëria sot jeton dështimin e Sali Berishës dhe duke mos patur më kurajën për ti treguar duart me pretendimin se i ka të pastra, bën përditë përbaltjen e opozitës për ti thënë shqiptarëve se jemi njësoj dhe prandaj ju nuk keni asnjë shpresë. Kështu që më mirë merrni rrugën dhe ikni se po ndenjët këtu vota të vjedhura, kuti të mbyllura dhe krim e korrupsion ka.
Nëse do të arrini me anë të protestave zgjedhje të parakohshme, kush do t’ju garantojë se ato do të jenë transparente?
Përpjekja për transparencën nuk është luftë për pushtet. Ju falënderoj për këtë pyetje sepse besoj është shumë e rëndësishme që të theksohet që ashtu sikundër ne sot bëjmë këtë përpjekje për transparencë dhe për të garantuar procesin zgjedhor, ashtu ka të drejtë nesër çdo opozitë të bëjë të njëjtën gjë, në rast se ne do të jemi në rolin e qeverisë që pengon transparencën dhe nuk garanton procesin zgjedhor. Ashtu sikundër u bë një proces konsensual për shkak të vullnetit që ne patëm që të ndikojmë drejtpërdrejtë në përmirësimin e klimës dhe të imazhit të Shqipërisë dhe të garantojmë pa asnjë problem integrimin në NATO, ashtu dhe procesi i implementimi të atij konsensusi duhet të ishte transparent dhe i garantuar. Opozita nuk është një vlerë e shtuar vetëm kur është fjala për të miratuar ligje dhe kur duhen votat e saj. Opozita është ana tjetër e një medaljeje që ka dy anë dhe që përndryshe nuk mund të rrijë varur në qafën e një popullit tërë. Ky popull boll ka vuajtur dhe boll i ka paguar çmime marramendëse të gjitha realiteteve apo përpjekjeve për të krijuar realitete që kanë vetëm një anë dhe ku ana tjetër në opozitë është e anatemuar, e dhunuar dhe abuzuar.
Avokati i Popullit kërkon 84 vota. Meqënëse mazhoranca nuk i ka këto vota, ju do ta pranoni që të jepni kandidatin tuaj?
Meqë mazhoranca nuk i ka këto vota bëri një ofertë të paparë në histori. Ne nuk kemi çfarë të pranojmë, e kemi në dorë vetë.
NOA