English

Fajdet, policia konfiskon 5 mijë euro e dokumenta

Ferizaj, 5 nëntor, NOA – Pasi është kontrolluar një shtëpi dhe zyrat e një kompanie ne Ferizaj, forcat e policisë së Kosovës kanë rënë në gjurmët e dokumenteve që lidhen me veprën penale të kontraktimit të përfitimit joproporcional (fajde).

Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në rajonin e Ferizajt, punonjësit e së cilës kanë bërë arrestimin e personit të dyshuar Xh.Izeti, 39-vjeç, nga fshati Gremë e komunës së Ferizajt.

I dyshuari është arrestuar pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Kontraktimi i përfitimit jo-proporcional”, sipas nenit 270 të Kodit Penal të Kosovës.

Hetuesit policorë me urdhëresë të gjyqtarit të procedurës paraprake të gjykatës komunale të Ferizajt, kanë bërë kontrollimin e shtëpisë së të dyshuarit në fshatin Gremë dhe njëherësh, kanë ushtruar kontroll edhe në lokalin e tij në Ferizaj.

Gjatë kontrollimit janë konfiskuar 5.000 (pesë mijë euro), si dhe dokumentacioni i tërë që i ka përdorur i dyshuari gjatë kryerjes së veprës penale.

n.e/NOA

KOMENTE