Elena na e tha troç: Ismailin e pengojnë! Ishin gati ta shkatërronin embrionin e ngjizur tek Kadare. Shfrynin lart e poshtë, tutje e t’hu se Kadare është një borgjez, që nuk e do klasën punëtore. Përse Kadare nuk trajton në librat apo romanet e tij temën e klasës punëtore, por merret me legjendat apo shkruan për qejfet në kafe Flora? Pse Kadare nuk shkruan për rininë revolucionare që po shpinte trenin deri në Vlorë po shkruante për zanat dhe mujët? Një miku im student më thoshte se Kadare e ka kuptuar se për t’u shmangur polemikave ai gjen ato tema që nuk cënojnë shkruan për legjendat shqiptare siç ishin :”Ura me tre harqe”, “Doruntina”, “Prilli i thyer”.
Nga Gëzim Llojdia*
Çfarë lexuam ne tek mendimet e Elena Kadaresë ...
Kokëunjur, fytyrëverdhë në muzgun e thepisur. Në vjeshtë, ne thirrëm Elenën në godinën e vajzave për një bisedë letrare me studentet e Institutit Bujqësor. Elena ishte bashkëshortja e Kadaresë, shkrimtare më shumë në stilin femëror. Elena ishte një bionde si të gjitha biondet, bukurisht e bukur. Shkrimtare, që pas emrit të Kadaresë kishte statusin e bashkëshortes së shkrimtarit më të madh. Megjithatë, librat e saj na rrëfejnë se ato janë tërësisht krijime të Elenës duke njohur stilin dhe temat të cilat ajo lëvronte. As që nuk ka kurrfarë dyshimi sot, mirëpo asaj kohe ku dyshoje për gjithçka për çdo gjë ishte e kuptueshme. Kështu, Elena erdhi tek godina e vajzave një ditë vjeshte. Më kishte ngarkuar rrethi letrar nga ato angazhimet, që dikur bëheshin çdo muaj dhe për ta kryer atë kuptohej, që bëheshim copa. Ishim pothuajse studentë dhe në fillimet tona, rrugë kërkimi qëllonte i vështirë.
Fytyra e kohës tonë. Shëmbëllim i pafajësisë. Ndrit pasqyra. Tek shpirti i diellit.
Kam shkuar dhe e kam takuar Elenën e cila pranoi të vinte për një bisedë në Institutin e Kamzës, kryesisht për romanin e fundit të saj më duket:”Një lindje e vështirë”.
E pritëm në stacion e autobusit Elenën. Dhe e shoqëruam tek godina e vajzave të Veterinarisë. Ishte një godinë ere dhe ndër më të bukurat e mobiluar, pra për kohën ishte vërtetë mrekulli.
Në katin e parë e mbushën me karrige ndërkaq Martin Leka, nënkryetari i rrethit letrar, shkoi dhomë më dhomë me dikë tjetër për të sjellë studentët për këtë takim. Në tavolinë me Elenen u ula unë, Shefqet Meko, Martin Leka. Erdhën me shumë 100 studente, që e populluan dhomën. Elena filloi të flasë dhe të tregojë për romanin se si e kishte gjetur temën. Më duket se tha se kur ishte shtruar në maternitetin e Tiranës për të sjellë në jetë njërën prej vajzave kishte gjetur ato personazhe, që i kishte përshkruar tek krijimi i saj i fundit romani. Ishte njëfarë mend, një copëz realitet, i që njihej kudo për atë kohë. Elena mjeshtërisht e rrëfeu mjaftë mirë fabulën, qe kishte shkruar në atë roman dhe tregoi edhe anë të tjera të krijimit të tij.
Mbaj mend se Elenen e pyetën se përse nuk shkruante më Ismail Kadare?
Ajo heshti një çast, u përqendrua dhe tha prerë: Jo, Ismaili shkruan çdo ditë. Nuk ka botuar jo se nuk shkruan. Dhe me të vërtetë bëhej fjalë pas vetëvrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu, që kur Kadare thuajse nuk kishte në shtyp libra. Arsye, që ne na shmangën u shqua edhe tek kjo revoltë e Elenës: “Nuk ia botojnë. Bëhej fjalë për “Dimrin e vetmisë së madhe”, që më pas u ritransformua në” Dimrin e madh”.
“Atë libër Kadare po e përpunon nga fillimi. Ka pasur shumë vërejtje, por Ismaili po i shqyrton të gjitha vërejtjet. Pritet, që të dali një libër i madh dhe i ndryshuar”, shtoi ajo. Pati edhe pyetje të tjera rreth Kadaresë por që kuptohet ishin pyetje studentesh pa ndonjë qëllim të përcaktuar. Ka pasur një moment rrëmuje nuk e kuptuam kush nga studentet e krijoi dhe përse ndërsa Elena pyeti se çfarë ngjau.
Elena ka takuar studentet dhe më pas kemi shkuar për kafe tek kinoklubi Studenti. Kur kemi dalë prej andej Elena ka njohur pedagogun e agrokimisë Aqif Dabullën një burrë që asaj kohë ishte rreth të 55 vjeç. Janë përshëndetur dhe ky i fundit e ka pyetur për Kadarenë. Elena i tha shkoqur se redaktorët ia kthejnë librat Ismailit pa asnjë qëllim.
“Po nuk është ankuar Ismaili”, tha pdeagogu. “Është ankuar, tha Elena, por askush nuk merr masa”. Elena madje, tha se ia kanë ndalur botimin, nuk e mbaj mend për çfarë libri bëhej llafi. Ajo nuk fliste me rezerva dhe dukej shumë e pakënaqur, që Ismailit për disa vjet nuk i kishin botuar asnjë libër ndonëse ai punonte çdo ditë një krijues i pazakontë duke mbajtur kështu në jetë dritaren e krijimit, si puna e kandilit pa vaj, që mund të shuhej. Nuk do ta kalonte pa brengosjen deri në dridhjen nga pikëllimi, këtë situatë Elena. Herë-mundohej të shprehte dhe herë e mblidhte veten. Kuptohej se atë botë nga ajo kohë shfaqeshin shpesh përgjimet. Mirëpo, revoltën e saj unë e kam parë shkoqur. Kur u ulëm për kafe ne i thamë se kishim një gazetë studenti dhe i kërkuam një tregim apo novelë të Kadaresë. “Ismaili, -tha ajo, -i ka tregimet mbi 10-15 faqe”.
Edhe aty ne u interesuam të mësonim më shumë për Kadarenë dhe arsyet e mosbotimit. Në Tiranë dhe mes ne studentëve qarkullonin llafurina të shumta. Kishte shumë fjalë për Kadarenë, dhe se ai bënte një jetë borgjezi, dmth nuk e njihte fare realitetin shqiptar, prandaj me gjitha autoritetin e tij si një ndër krijuesit më të mirë, sërish ai gabonte nuk njihte klasën punëtore. Elena, shpesh thoshte nuk i botojnë dhe dukej qartazi pikëllimi. Ata d.m.th redaktorët. Apo ata, d.m.th pushtetarët e lartë të qeverisjes së vendit? Vetë dora ai mundej të ishte, deri aty arrinte puna?
Kush ata? Kujt i shkonte ky murr i ngritur në lartësi, thellësi, gjerësi për të ndalur Kadarenë? Thonë se ujqit e uritur e shqyejnë vërtet nënën lehonë. Qentë do ta bënin copë, nëse u jepej mundësia. Kështu ujqërit dhe zogoria e qenve të ligësisë ishin gati ta shkatërronin embrionin e ngjizur tek Kadare. Dhe e gjithë kjo zogori shfrynte lartë e poshtë, tutje e t’hu se Kadare është një borgjez, që nuk e do klasën punëtore. Përse Kadare nuk trajton në librat apo romanet e tij temën e klasës punëtore, por merret me legjendat apo shkruan për qejfet në kafe Flora?
Pse Kadare nuk shkruan për rininë revolucionare që po shpinte trenin deri në Vlorë po shkruante për zanat dhe mujët? Një miku im student më thoshte se Kadare e ka kuptuar se për t’u shmangur polemikave ai gjen ato tema që nuk cënojnë shkruan për legjendat shqiptare siç ishin :”Ura me tre harqe”, “Doruntina”, “Prilli i thyer”. Elena na e tha troç: Ismailin e pengojnë!
Dhe kuptohet, kjo thënie tek këta studentë, mund të mbarte me vete pasoja...
Ne vazhdimisht bënim një lloj gare dhe kishim formuar dy grupe tek rrethi letrar. Njëri që pëlqente Dritëron dhe ne të tjerët, që kishim idhullin tonë Kadarenë. Ne debatonin pa ditur se çfarë mund të përbënin këto zënka, që mund të sillnin nga kreshat e shtetit shi, ndonëse fjalët tonë ishin thënë butësisht shkoqur pa enigma. Ne adhuronin Kadarenë për thellësinë e mendimit, trajtimit e tij prandaj kjo bukuri fjale i zihej fryma, ndërsa Agolli ishte kryetar i shkrimtarëve dhe atij botohej në çdo kohë romani apo poezia mirëpo edhe Agolli kishte peripeci, por që i kalonte se ishte babaxhan apo duhet të ketë pirë thoshin dhe i ka thënë këto fjalë nga gryka e shishes. Edhe për peripecitë e Agollit kishim dëgjuar, ndërsa kjo thellësi e Kadaresë ishte si burimi i pafundëm.
Romanet ishin të thjeshta të Agollit. Poezia e ëmbël si e Naimit. Kishte poezi të mirë Agolli. Dhe sot, mbetet poet i adhuruar. Kadarenë nuk e kuptojnë, thoshin. Kadare ishte filozofik. Dhe ne, që kërkonim këtë thellësi e ndjenim se kjo na hynte në thellësi të shpirtit, ose bënte vend në brendësi të brendisë tek pika e zemrës.
E atë ditë, Elena na dha një mesazh që e përcollëm ditët e tjera mes miqëve të librit dhe rrethit tonë letrar.
D.m.th që Kadarenë e pengojnë të botohet. Ia kthejnë librat herë pas here me justifikime të pajustifikuara, por që kuptohej se arsyeja e fshehur ishte ta mbanin nën presion aq më larg edhe botimeve, dhe lexuesit. Nëse sot thuhet se ishte regjimi ai që e promovoi Kadarenë, kjo edhe mundet të qëndroj si tezë, mirëpo pas kësaj “djali plangprishës” s’kishin ç’t’i bënin. Emri i tij ishte i njohur tashmë kudo dhe gjithkund kishte interes se si jetonte shkrimtari i madh nën një regjim të tillë. Në një farë mënyre ta mbanin nën “mjegullën e pushtetit”, të shtërngonin dhe nga “frëngjia e ngritur posaçërisht” ta vrojtonin. Nga mungesa e gjatë e botimeve, Kadare shfaqej fuqishëm dhe çuditërisht kur libri i tij përthithej atëherë kuptohej se regjimtarët ndiheshin të vegjël, ata ishin kaq të vegjël, që në këtë botë kishin qenë shtegtarë të humbur. Harroheshin. Kujtesa e shtetit ishte me përvjetorë, ndërsa kujtesa e popullit ishte pafundme për shkrimtarët, krijuesit shkencëtarët, artistët.
Kështu ajo ditë tek ne ishte shenjë e një reflektimi. Ne, që vinim nga jug të brumosur me tipare të burrërisë pra fjala e dhënë ther djalin, shikonim shpesh atje në kryeqendër se si zbeheshin në sytë tanë figurat e shtetit, sa të paditur dhe ç’gafa që bënin nëpër mbledhje apo gjetkë, aq shpërthyese mbeten edhe barsoletat për anëtarët e Byrosë.
Korraca, që e mbronte nuk ishte shteti, por emri i tij dhe fama e tij në botë. Nëse kjo u korracua nga shteti mbërrinte një çast, që shteti tash ja kishte atij nevojën për të depërtuar nëpër vende gjer larg nëpër botë ku ky regjim nuk quhej i pranueshëm. Kadare shërbeu gjithë kohës si shkrimtarë. Edhe kur atij i janë dhënë poste duhet kuptuar se nuk ka qenë Kadare që i ka propozuar. Nëse ka pranuar duhej bërë për të qëndruar shkrimtar përndryshe rrëzimi i tij i pritshëm mbërrinte shpejt. Nën ftohtësinë e katakombeve të ftohtë, ku ndriçonte ora e territ, mund të dremisnin ata, që s`kishin ndonjë punë të madhe për të bërë. Për ne admiruesit dhe lexuesit e tij të shumtë brenda dhe jashtë vendit do të ishte më mirë një Kadare, që i sjell diçka letërsisë se një i persekutuar i syrgjynosur pa letërsi vetëm me triskën e të persekutimit. Nëse do të kishte ngjarë, sot do të kishim një Kadare, që do të kërkonte një herë në pesë ditë paratë e burgut.
Pa asnjë fletë apo një letërsi, që do ta quanim letërsi burgu me ndonjë përurim apo ndonjë dekoratë. Do të thoshim: Gjynah, s’e lejoi regjimi. Keqardhje do të shprehnim. Dhe harresa jonë do të ishte e madhe. Kush fitoi në këtë mes letërsia apo regjimi? Fituan letrat shqipe, që nuk humbën një ndriçim me rrëzim sysh të përhershëm të saj. Do të kishim një mall të vijëzuar në altar për shkrimtarin e ikur por se vetëm kaq.
Kemi një pasuri letrare, që na e dha Kadare me një kosto shpirti, jo të vogël. 50 vjet përmbi letra, i kërrusur përmbi fletën e bardhë. Punëtor i letrave. Kur kam parë “Postierin”, që bënte fjalë për Nerudën në kohën e internimit të tij në Itali, çfarë internimi ishte atje në atë vend, tani them më mirë që shpëtoi shkrimtari sepse bëri letërsi. Ajo rezistencë le tu mbetet rezistentëve, heronjve politikë të tjerë neve na duhet letërsia, që Kadare dha. Shqyrtova dhe i mbetem kësaj pike. Më mirë një shkrimtar. Kur fola për Nerudën në Itali ai e bënte internimin në një ishull plot me njerëz dhe me jetë aktive. Vërtet larg vendit të tij. Ajo që i mungonte ishte vendi i tij . Ne do të na mungonte letërsia e Kadaresë sepse këtu internimi ishte i vdekur e i pakallur.
* Artikull i dërguar nga autori