Tiranë, 5 nëntor, NOA – Ministria e Brendshme ka përgënjeshtruar sot deklaratat e kryetarit të Partisë Socialiste, për shkelje të afateve për shpalljen e listave paraprake të zgjedhësve nga Ministria e Brendshme, duke i cilësuar këto akuza si një spekullim të pastër.
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone duke reaguar kundër akuzave të shefit të opozitës, që akuzoi MB-në dhe shefin e saj, Lulzim Basha se po kërkojnë të deformojnë procesin e listave, argumentoi se sipas ligjit janë Kryetarët e Bashkive dhe Komunave dhe jo Ministria e Brendshme, institucionet që hartojnë dhe përditësojnë listat zgjedhore.
Pone i bëri sakaq thirrje shefit të selisë rozë të heqë dorë nga spekulimet dhe përpjekjet për të përhapur panik.
Ai theksoi se në përputhje me Kodin Zgjedhor listat paraprake kanë qenë të gatshme në sistemin elektronik të regjistrit kombëtar të gjendjes civile, që prej datës 24 shtator të këtij viti.
Ai citoi nenin 49 të Kodit Zgjedhor, ku bëhet e qartë se Kryetarët e Bashkive dhe Komunave, brenda datës 26 Tetor 2010, duhet të shpallnin listat e përditsuara paraprake për çdo qendër votimi.
Në këtë kontekst, zëvendësministri Pone, sqaroi se pas këtij përditësimi, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, brenda datës 15 nëntor 2010 bën publikimin e listës paraprake të zgjedhësve në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Brendshme. Zoti Pone pohoi se Ministria e Brendshme nuk ka shkelur asnjë nga afatet e parashikuara në ligj dhe udhëzim, ndërkohe që pret bashkëpunim të plotë të Pushtetit Vendor, i cili përditëson listat paraprake të zgjedhësve.
mit/NOA