English

Mediu: Mjedisi, çështje e të gjithëve

Tiranë, 5 nëntor, NOA – Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, priti një takim përfaqësues të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili duke u uruar mirëseardhjen miqve nga Emiratet e Bashkuara Arabe, u shprehu falënderimet për gatishmërinë që ata kanë treguar për të bashkëpunuar me Shqipërinë.

Ai u shpreh se mjedisi tashmë është kthyer në çështje të të gjithëve, pasi asnjë institucion i vetëm nuk mund ta marrë përsipër, nëse nuk gjen edhe bashkëpunimin me politikën, shoqërinë civile, bizneset apo grupet e interesit.

Gjithashtu, ministri Mediu vuri theksin se puna e MMPAU, është përqendruar kryesisht në përafrimin e legjislacionit me BE-në.

“Ky është një prioritet i punës sonë, pasi ne pretendojmë të integrohemi në familjen e madhe evropiane, duke nisur nga mjedisi”, u shpreh Mediu.

Në këtë kontekst, ai i njohu të pranishmit me ligjet e reja që po janë hartuar dhe po hartohen nga MMPAU, në mbikëqyrjen dhe konsulencën permanente evropiane, si “Ligji për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve”, “Ligji për lejet mjedisore”, “Ligji mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis”, “Ligji për rezervat ujore”.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe, shprehën entuziazmin e tyre për hapat para që ka bërë Shqipëria në fushën e mjedisit, duke i konsideruar përpjekjet dhe punën e MMPAU, mjaft efikase, por edhe vizionare. Ata theksuan edhe një herë vullnetin e tyre për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë, veçanërisht në fushën e Mjedisit.

Në këtë kontekst, që të dyja palët ranë dakord për hartimin dhe firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi mes të dy vendeve dhe institucionalizim të bashkëpunimit me nënshkrim të tij dhe vizite zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjithashtu, për zyrtarët e lartë arabë, mjaft të vlefshme do të ishin edhe shkëmbimet e eksperiencave, si në burime njerëzore por edhe në teknologji. Interes të veçantë për bashkëpunim në të ardhmen, miqtë arabë treguan për fushën e energjisë të rinovueshme, eko-turizmit, mbrojtjen e faunës dhe florës, menaxhimin e zonave të mbrojtura etj.

n.e/NOA

KOMENTE