English

“Nëntori 13”, për herë të parë artistë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi

Tiranë, 5 nëntor, NOA/ Milena Selimi - Nis sot në orën 18.00 në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozita e përvitshme “Nëntori 13”, ku do të marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat shqiptare.

Ekspozita tashmë tradicionale, “Nëntori 13”, do të prezantojë punën më të mirë të vitit, nga 37 artistë shqiptarë.

Në edicionin e 18-të saj, “Nëntori 13”, për herë të parë sjellë edhe artistë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Besim Tula, kuratori i kësaj ekspozite, shprehet se ky është një zhvillim pozitiv dhe një shkëmbim eksperiencash.

“Kjo ekspozitë është një angazhim vjetor për secilin piktor dhe pas kaq vitesh, duket se është arritur të ketë një lloj konkurrence të mirë mes tyre. Duke parë ecurinë e kësaj ekspozite, mendoj se kemi arritur të kemi disa vepra të mira që i prezantohen publikut”, thotë kuratori Tula.

Këtë vit, realizimi i ekspozitës është mundësuar falë mbështetjes së Programit Kulturor Zviceran.

Tula thotë se pa këtë mbështetje nuk do të kishin mundur ta organizonin këtë ngjarje të madhe artistike.

Ekspozita “Nëntori 13” do të qëndrojë e hapur data 5 deri më 20 nëntor, në Muzeun Historik Kombëtar.

m.s/mit/NOA
KOMENTE