English

OKB: Mbi 300 klandestinë, kalojnë çdo ditë kufirin me Greqinë

Athinë, 5 nëntor, NOA – Janë mbi 300 emigrantë klandestinë që hyjnë përditë në territorin e Bashkimit Evropian, duke kaluar kufirin që ndan Turqinë me Greqinë.

Një fakt i tillë pohohet në raportin e fundit të agjencisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Emigrantët, sipas të cilit këta klandestinë hyjnë në territorin e BE-së përmes tokës greke, janë nga vendet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

Duke mos patur roje të mjaftueshme që t’i pengojnë, raporti citon se ata hyjnë lirisht në tokën greke, përmes lumit Evros, i cili ndan Turqinë me Greqinë.

E gjendur në të tilla kushte të moskontrollimit dot të situatës së futjes së klandestinëve në territorin e saj, Greqia i ka kërkuar ndihmë edhe Bashkimit Evropian, i cili ditët e fundit ka nisur atje një mision konsultimi me ekspertë të emigracionit.

Nga ana tjetër, agjencia e OKB-së për Emigrantët, pohon se gjendja aktuale e klandestinëve ka krijuar një krizë humanitare të vërtetë, prandaj i ka bërë thirrje qeverisë greke ta reformojë procesin e dhënies së azilit.

n.e/NOA

KOMENTE