English

Operacioni “Piramida 67”, kapen 4 të kërkuar për disa grabitje me armë

Sarandë, 5 nëntor, NOA – Nën operacionin e koduar me emrin “Piramida 67”, forcat e policisë të Sarandës, bënë të mundur arrestimin e 4 personave të akuzuar për kryerjen e disa grabitjeve me armë.

Siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA, të ndaluarit janë Vladimir Marku, 32 vjeç, banues në fshatin Shëndelli të Sarandës, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë; Atdhetar Proj, 38 vjeç, banues në Konispol të Sarandës, i dënuar më parë për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit; Florin Çupi, 21 vjeç, banues në fshatin Shëndelli të Sarandës dhe Nikolin Marku, 21 vjeç, banues në qytetin e Lezhës.

Nga hetimet e deritanishme, rezulton se këta janë autorë të dyshuar të 5 grabitjeve me armë, që kanë ndodhur në afërsi të vijës kufitare Sarandë, ku kanë vjedhur nën kërcënimin e armës një numër të konsiderueshëm personash.

Operacioni për kapjen e tyre u konkludua me sukses në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në sajë të masave të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, duke organizuar shërbime për kontrollin e gjithë vijës kufitare, si dhe duke ngritur pika kontrolli.

Këta persona u kapën në flagrancë, në fshatin Konispol të Sarandës, në afërsi të një pike karburanti, teksa udhëtonin me një automjet të tipit Benz 240, me targa SR 6065 B, në pronësi të Atdhetar Projit.

Nga kontrolli i ushtruar u sekuestruan me cilësinë e provës materiale 16 telefona celularë të markave të ndryshme, të cilët u përkisnin shtetasve të grabitur me armë.

Nga strukturat e policisë vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre personave.

n.e/NOA

KOMENTE