English

Operacioni “Siguria e Jetës” bllokon 28 makina, vë 493 gjoba e heq 13 patenta

Gjirokastër, 5 Nëntor, NOA – Nën operacionin “Siguria e Jetës” nga policia rrugore e qarkut të Gjirokastrës, janë bllokuar 28 automjete, janë hequr 13 leje drejtimi për përdorim pijesh alkoolike, janë vendosur 493 masa administrative me vlerë 840.000 lekë, si dhe u janë hequr xhamat e zinj 59 automjeteve.

Këto shifra konfirmohen për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të qytetit jugor, sipas të cilave, ky operacion është zhvilluar në kuadrin e planit “Për rritjen e efikasitetit të strukturave të policisë, për parandalimin e krimit, goditjen e trafiqeve, të personave që qarkullojnë me armë zjarri, kapjen e personave në kërkim dhe për rritjen e rendit dhe sigurisë në komunitet”.

Në këtë kuadër, prej tre ditësh nga ana e këtyre strukturave janë organizuar post-blloqe policie në akset rrugore nacionale, pika kontrolli në rrugët rurale si dhe kontrolle të lokaleve ambjenteve publike, dhe banesave për armëmbajtje pa leje, kapjen e personave në kërkim etj.

Kështu nga patrulla e përgjishme të policisë së rendit janë kontrolluar 456 automjete, ku ka rezultuar se 28 automjete ishin pa dokumentacion përkatës dhe ndaj tyre nga ana e Policisë Rrugore është vendosur masa administrative e bllokimit.

Gjithashtu, u janë hequr xhamat e zinj edhe 59 automjeteve dhe janë ndëshkuar me masë administrative 5 mijë lekë të reja gjobë.

Sikundër thuhet se janë kontrolluar edhe 18 lokale dhe ambjente të tjera si dhe 9 banesa, duke verifikuar dhe këshilluar 23 persona.

n.e/NOA

KOMENTE