English

Opozita e Bashkuar: Rruga e vetme, largimi i qeverisë nëpërmjet protestave

Tiranë, 5 nëntor, NOA – Partitë politike të Opozitës së Bashkuar, PSD, PBDNJ, PDS, PDK dhe PLD, të mbledhura sot, rikonfirmuan edhe njëherë vlerësimin dhe qëndrimin e tyre për situatën politike në vend dhe zgjidhjen e saj.

Sipas krerëve të tyre, Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë politike, ekonomike e institucionale e cila e ka lënë vendin të fundit në rajon në procesin e integrimit europian. “Kjo gjendje e mjeruar, buron nga zgjedhjet e 28 Qershorit, nga vjedhja e blerja e votës me lekët e korrupsionit, nga keq-qeverisja e shumicës, e cila siç vodhi votën vijon të vjedhë çdo ditë e më shumë shqiptarët.

Për më tepër, kjo qeveri degradon deri në shkeljen e vullnetit të përgjithshëm dhe drejtësisë, duke shkelur Kushtetutën, ligjet e Rregulloren e Kuvendit, votën e përfaqësuesve në kuvend, ashtu siç shkeli Kodin zgjedhor duke deformuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë për t’u përfaqësuar denjësisht”, citon deklarata e tyre e përbashkët.

Duke shtuar se kjo qeveri po injoron çdo mundësi që të nxjerrë vendin nga ky kaos që cënon ekzistencën e shtetit të së drejtës, që mbyll rrugët e Shqipërisë drejt integrimit europian, opozita e bashkuar sheh si zgjidhje të nevojshme transparencën e zgjedhjeve e nje reformë të mbështetur mbi të, por duke larguar qeverinë aktuale si shkaktaren kryesore të manipulimit të zgjedhjeve dhe bllokimit të hetimit të tyre.

“Ndërkohë që këtë hetim e urdhëron Kushtetuta e vendit, e duan shumica e qytetarëve dhe e kërkojnë të gjitha institucionet ndërkombëtare. Rruga e vetme mbetet largimi i qeverisë nëpërmjet protestave e mjeteve demokratike për hetuar padrejtësinë më të madhe politike të 20 viteve të fundit ndaj shqiptarëve”, citon deklarata e Opozitës së Bashkuar.

Duke cituar në fund, se vetëm në këtë mënyrë, do të zbardhen të vërtetat me të cilat kjo qeveri ka manipuluar qytetarët duke u tallur me vullnetin e tyre ne favor të pasurimit të klasës së korruptuar politike. Vetëm kështu mund të veprohet për t’i dhënë dritën jeshile rimëkëmbjes së ekonomisë, funksionimit të sistemit të drejtësisë, zhvillimit të zgjedhjeve të standardeve të përgjithshme e lokale dhe Integrimit në strukturat evropiane.

n.e/NOA

KOMENTE