English

Panairi i 13-të i Librit “Tirana 2010”, gjithçka për evenimentin e vitit në Shqipëri

Viti 2010 shënon mbajtjen e edicionit të 13-të të Panairit Mbarëkombëtar të Librit “Tirana 2010” dhe për të tretin vit radhazi ai sponsorizohet edhe nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA. Panairi zhvillohet më 11-15 nëntor 2010 në Pallatin e Kongreseve. Ceremonia e çeljes: Më 11 nëntor ora 18.00, nga: Kim Mehmeti-Sabri Hamiti-Aurel Plasari. Çdo ditë ju do të gjeni në faqen e posaçme të panairit të librit që është hapur nga NOA, të rejat më të fundit mbi eventin, të ftuarit, intervista, etj.

Tiranë, 5 Nëntor 2010 NOA/ Anisa Ymeri - Viti 2010 shënon mbajtjen e edicionit të 13-të të Panairit Mbarëkombëtar të Librit “Tirana 2010” i cili do të jetë i hapur në datat 11-15 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe vjen me moton “Të ndriçojmë mendjet e reja”.

Ceremonia e çeljes së edicionit të 13-të të Panairit të Librit “Tirana 2010” do të mbahet më 11 nëntor, ora 18.00 në Pallatin e Kongreseve prej 3 personaliteteve të kulturës mbarë shqiptare, Kim Mehmeti, Sabri Hamiti dhe Aurel Plasari.

Pjesëmarrës në këtë panair do jenë mesë 80 subjekte botuese shqiptare jo vetëm në Shqipëri por edhe Kosovë e Maqedoni të cilat përpos titujve të botuar ndër vite do sjellin edhe librat e rinj të cilët këtë vit duhet theksuar se janë më të paktë në numër se vitet e shkuara pasi kriza botërore ka prekur edhe botuesit shqiptarë.

Përgjatë ditëve të panairit do të mbahen disa forume në të cilat do diskutohet nga njerëzit e librit në Shqipëri dhe jo vetëm për një sërë problemesh të librit në shqip.

Gjatë ditëve të panairit do të organizohet edhe një takim i posaçëm mes Ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferaj, botuesve shqiptarë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ‘Traducci’ dhe presidentit të Panairit të Lajpcigut, Z. Oliver Zilli.

Gjithashtu s’do të mungojnë takimet me shkrimtarët e ftuar nga botuesit në stendat e panairit të librit ‘Tirana 2010’ dhe promovimet do jenë të shumta.

‘Traducci’ në Panairin e Librit

Një stendë e posaçme në Panairin e 13-të të Librit “Tirana 2010” do të jetë për “Traduçi’, rreth botuesish dhe përkthyesish nga gjuhët respektive të vendeve që janë pjesë e tij dhe nga gjermanishtja.

Në Tiranë do jenë të pranishëm në këtë kuadër botues të huaj nga:

Gjermania

Bullgaria

Sllovenia

Serbia

Kroacia

Mali i Zi

Maqedonia

Turqia

Ky është një projekt i mbështetur nga qeveritë e Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës, qëllimi i të cilit është të bëjnë të mundur intensifikimin e kontaktit të letërsisë dhe kulturës të këtyre vendeve.

Ndërsa pjesëmarrja e tyre në Panairin e Tiranës është një mundësi e mirë kontakti dhe njohjeje me letërsinë, autorët dhe përkthyesit shqiptarë. Në “Tirana 2010” do të jenë të pranishëm mëse 20 përfaqësues të këtij rrjeti i cili shënjon një tjetër hap për editorinë shqiptarë.

Panairi i Lajpcigut

Një tjetër i ftuar i rëndësishëm në Panairin e 13-të të Librit “Tirana 2010” është presidenti i Panairit Ndërkombëtar të Lajpcigut, Oliver Zille.

Ai është ftuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë (SHBSH) për të qenë i pranishëm në mënyrë që të njihet me letërsinë, autorët dhe kulturën shqiptare pas një kërkese që i është bërë këtij panairi që Shqipëria të jetë e ftuara e panairit të Lajpcigut të vitit 2012.

Kjo pasi ky panair funksionon në sajë të tematikave të veçanta dhe SHBSH ka kërkuar që tema e vitit 2012 të jetë Shqipëria, botimet, autorët dhe shqipërimet tona.

Presidenti i këtij panairi O. Zille është ftuar posaçërisht për të marrë një vendim mbi këtë kërkesë.

Sipas kryetarit të SHBSH-së, Z.Petrit Ymeri, tani mendohet se letërsia shqiptare e ka arritur pjekurinë për të qenë e ftuar e këtij panairi të rëndësishëm të librit, ndaj edhe është ftuar presidenti i tij për të parë situatën në Shqipëri.

Çmimet e “Tirana 2010”

Si në edicionet pararendëse të Panairit të Librit, edhe në “Tirana 2010”, ditën e fundit të panairit, më 15 nëntor do të ndahen edhe çmimet e përvitshme të cilat akordohen nga juritë e posaçme që ngrihen çdo vit për to.

Çmimi ‘Libri më i mirë’

Çmimi ‘Përkthimi më i mirë’

Çmimi ‘Libri më i mirë për fëmijë’

Çmimi ‘Libri më i mirë studimor’

Çmimi special i panairit

Sponsorë

Sponsor të eventit më të madh të librit në hapësirën mbarë shqiptare janë MTKRS dhe Fondacioni SOROS, ndërsa Media Partnerë të “Tirana 2010” janë Televizioni Publik Shqiptar (TVSH) dhe Agjencia Kombëtare e lajmeve NOA.

Për t’u informuar mbi çdo aktivitet brenda Panairit “Tirana 2010”, të njiheni me programin në imtësi, mund të klikoni në:

www.tirana2010.noa.al

a.y/NOA

KOMENTE