Ky “pazar i fundit” i Topallit duhet parë dhe si një pamundësi përfundimtare e shumicës për ta zgjidhur këtë krizë dhe duhet hequr dorë nga vazhdimi i negociatave me shumicën, derisa Berisha të detyrohet publikisht ta tërheqë mbrapsht këtë deklaratë. Ai duhet të shprehet nëse qëndrimi i zonjës Topalli ishte zyrtar apo jo, dhe nëse e pranon se është zyrtar, opozita dhe të ndërpresë çdo negociatë derisa shumica të tërhiqet dhe të kërkojë falje për këtë provokim
Nga Mero Baze
Ndonjëherë të pasurit në krye të parlamentit një njeri që nuk ka frikë nga ato që thotë, është fat. Sikur të ishim lodhur për një kohë të gjatë të gjenim fakte lidhur me dyshimet nëse shumica ka prekur apo jo rezultatin e zgjedhjeve, nuk do të gjenim kurrë atë që kryetarja e Kuvendit e tha dje publikisht me gojën e saj, dhe që e quajti “Pazar i fundit” zyrtar i shumicës për tu mbyllur debatin mbi transparencën e zgjedhjeve. Unë nuk di kush ka qenë pazari i parë, apo i dytë i pushtetit për këtë debat jetik për ekzistencën e demokracisë në këtë vend, por di që “pazari i fundit”, ai që u shqiptua publikisht nga kryetarja e Kuvendit, ishte pranim i gjithçkaje që ka ndodhur dhe fund i kuptimit që duhet të ketë parlamentarizmi në këtë vend. Si “pazar i fundit” që ishte, prisja mos bëhej fjalë për të mos u hapur gjithë kutitë, por disa prej tyre, ndoshta ato më problematiket, apo fjala vjen që kutitë të mos digjeshin derisa të përfundonte shqyrtimi i materialeve zgjedhore. Por koncepti i kryeparlamentares ishte tërësisht i ndryshëm, në sasi, në cilësi dhe në koncept. Për t’i rënë shkurt, ajo i tha opozitës që ta mbyllim këtë punën e zgjedhjeve, merrni këtë Avokatin e Popullit! Kaq është pazari i fundit i pushtetit.
Tashmë ngelet të hetojmë nëse zonja Topalli e ka bërë këtë për të hedhur në erë Berishën dhe për të radikalizuar situatën që procesi i zgjidhjes së krizës të ndalet, ose zoti Berisha siç po shihet përditë e më shumë kërkon ta heqë qafe si bezdi këtë grua dhe e nxjerr të bëjë përditë marrëzira të tilla.
E themi këtë pasi është e pabesueshme se si kryeministri mund të tallet kështu me njerëzit e tij. Njërin nënkryetar, zotin Patozi, e ka nisur të negociojë me Gramoz Ruçin për detaje të transparencës së zgjedhjeve, nënkryetaren tjetër e ka lëshuar të japë “pazar të fundit”, që nuk ka lidhje fare me transparencën, ndërsa vetë ka qëndrime të ndryshme edhe nga përgjigja zyrtare e Patozit, edhe nga marrëzitë zyrtare të Topallit.
Por përtej hamendësimeve të shkaqeve që shtynë zonjën Topalli të bëjë një skandal të tillë publik, duhet të analizojmë pasojat që ka kjo për kulturën tonë të parlamentarizmit.
Mesazhi i parë publik që jep kryeparlamentarja e një vendi që kërkon të hyjë në Evropë është se kur grabitet pushteti duke denigruar votën e qytetarit, partia e dëmtuar mund të kompensohet duke i dhënë ndonjë copë pushteti diku tjetër. Mjafton ky koncept që të ngjethet mishi, kur mendon se ky njeri ka në dorë fatet e parlamentarizmit në Shqipëri. Edhe sikur këtë gafë ta kishte bërë ndonjë deputet trutharë, e para që duhet të distancohej duhet të ishte kryetarja e parlamentit, e cila e ka të ngritur pushtetin e saj mbi mandatet e deputetëve dhe cilësinë e zgjedhjes së tyre. Dhe kaq do të mjaftonte që opozita të kërkojë urgjent dorëheqjen e saj dhe të provojë pafund shkarkimin e saj, për të dëshmuar se nuk mund të pranojë provokime që fyejnë konceptin e saj për transparencën e zgjedhjeve.
Një problem i dytë që prodhon kjo deklaratë, është pikërisht përpjekja për ta fyer opozitën dhe për ta futur atë në spiralen e pazareve për atë që ka ndodhur. Zonja Topalli bile u nxitua që tha ky është “pazar i fundit” pasi mund të thoshte ky është pazari im. Kështu të nesërmen mund të dilte dhe Flamuri të thoshte u jap si pazar komunën e Shishtavecit, mund të dilte Albana Vokshi e të thoshte heq dorë nga 60 përqind e naftës shqiptare që kam marr qyl dhe ia jap këto Kastriot Islamit, dhe mund ta qante fare këtë punë Arben Imami po të dilte e të thoshte gjithë repartet ushtarake që po privatizohen nuk do t’i marrë Zamiri me Sandrin, por opozita. Ky është një provokim i ndyrë, për të dëshmuar se lidershipi i opozitës nuk ka çështje parimore në axhendën e tij, por ka problem pazaresh të prishura. Pikërisht për këtë shkak opozita duhet ta konsiderojë këtë provokim si një arsye për të kërkuar shkarkimin e zonjës Topalli. E shkarkon dot apo jo, kjo është një çështje e dorës së dytë, por prova për shkarkimin e saj duhet bërë në shenjë respekti ndaj parimeve të parlamentarizmit dhe degradimit që ajo po i bën postit të spikeres së parlamentit.
Së fundmi ky “pazar i fundit” i Topallit duhet parë dhe si një pamundësi përfundimtare e shumicës për ta zgjidhur këtë krizë dhe duhet hequr dorë nga vazhdimi i negociatave me shumicën, derisa Berisha të detyrohet publikisht ta tërheqë mbrapsht këtë deklaratë. Ai duhet të shprehet nëse qëndrimi i zonjës Topalli ishte zyrtar apo jo, dhe nëse e pranon se është zyrtar, opozita dhe të ndërpresë çdo negociatë derisa shumica të tërhiqet dhe të kërkojë falje për këtë provokim.
Unë besoj se zonja Topalli ishte e sigurt, jo se po thoshte ndonjë gjë që e kuptonte, por se e kuptonte që ajo gjë që po thoshte, e bënte të sigurt pushtetin e saj. Ndaj nuk duhet falur.