English

PS: Ministri Vasili të përgjigjet për monopolin e ilaçeve

Tiranë, 5 nëntor, NOA – Selia rozë i ka kërkuar ministrit të shëndetësisë Petrit Vasili të përgjigjet për monopolin me tenderat e liçeve dhe gjendjen e mjerueshme ku është zhytur sistemi shëndetësor si pasojë e korrupsionit dhe e konfliktit të interesit, që e ka mbërthyer Ministrinë e Shëndetësisë.

Partia Socialiste i ka ripërsëritur pyetjet në adresë të ministrit Vasili nëse po krijohen monopole në tenderat e ilaçeve dhe kë favorizojnë këto monopole.

PS i bëri thirrje ministrit të Shëndetësisë t’i përgjigjet pyetjeve për hir të gjithë atyre shqiptarëve, që sot vuajnë shërbimin e keq në spitalet tona, nga mosmenaxhimi i mirë dhe nga çmimet marramendëse të ilaçeve.

Pas akuzave të përditshme ndaj ministrit Vasili, që i fshihet përgjigjes përballë opinionit publik duke nxjerrë në konferenca drejtorin e Politikave, Pëllumb Pipero edhe ky i përfshirë në konflikt interesi, Partia Socialiste sqaroi se drejtori Pipero duhej të ishte nën hetim pasi ka shkelur ligjin për konflikt interesi duke përfituar miliona nga tenderat e barnave të spitaleve shqiptare në bashkëpunim me të vëllanë e tij.

Deputeti i PS-së, Eltar Deda tha se “Pëllumb Pipero gënjen publikisht kur thotë se nuk ka lidhje me këtë kompani, pasi ky dokument e provon të zezë mbi të bardhë se ai vazhdon të jetë aktivisht i angazhuar në këtë aktivitet privat”.

mit/NOA
KOMENTE