English

PS: PD refuzoi propozimin e Pack, dëshmoi mungesën e vullnetin për zgjidhje të krizës

Tiranë, 5 nëntor, NOA – Pas përfundimit të takimit të Komitetit të Stabilizim Asociimit, një takim disa orësh që iu kushtua çështjeve politike në vend, reformave në gjyqësor, zhvillimeve ekonomike, si dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut e të medias në Shqipëri, deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj deklaroi në një konferencë për shtyp se mazhoranca në këtë takim dëshmoi mungesën e vullnetit për zgjidhjen e ngërçit politik mëse njëvjeçar, duke refuzuar të miratojë një amendament të propozuar nga eurodeputetja Doris Pack, një mbështetëse e hershme e Partisë Demokratike në PE.

“Ne shkuam me vullnetin për të arritur një kompromis për zgjidhjen e krizës politike, por në fakt u përballëm me një mungesë vullneti të mazhorancës, andaj ishte kaq i befasishëm refuzimi nga ana e PD-së i propozimit të bërë për zgjidhjen e krizës nga deputetja e Parlamentit Europian, Doris Pack”, theksoi Leskaj.

Sipas Leskaj, Pack, propozoi një amendament, që mbështetej në rezolutën e PE-së dhe në frymën e ofertës së re të PS-së, që kërkon ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe transparencën e kutive të materialeve të votimit.

Deputetja socialiste, bëri me dije se dy elementë të rëndësishëm të këtij propozimi kanë të bëjnë me propozimin për ngritjen e komisionit parlamentar që do të hetojë zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa pika e dytë specifikon hetimin e kutive të materialeve zgjedhore, një amendament ky i votuar si nga eurodeputetët edhe nga deputetët e opozitës në takimin e Komitetit të SA-së, por u refuzua nga depuetët e mazhorancës.

Deputetja Leskaj theksoi se kjo refuzimi i këtij amendamenti ishte një befasi për opozitën duke nënvizuar se “PD mbeti e vetme në refuzimin e këtij amendamenti duke dëshmuar vullnetin për moszgjidhjen e krizës politike në vend, dhe idenë se kush po e mban vendin në krizë”.

Deputeti Valentina Leskaj tha se në mbyllje të takimit mungoi një deklaratë e përbashkët e Komitetit të Stabilizim Asociimit sikundër është zakon i këtyre takimeve të rëndësisë së veçantë.

mit/NOA
KOMENTE