Ministri britanik i Emigracionit, deklaroi dje detyrimet e reja dhe rregullat e emigrimit për në Britaninë e Madhe. Tashmë për të përfituar lejen e qëndrimit në Britani do të duhen një sërë dokumentesh, krahas provimeve të gjuhës, kulturës dhe historisë britanike. Gjatë deklaratës së djeshme për mediat, ministri i Emigracionit bëri të ditur se duke filluar nga viti 2011, emigrantët do të vlerësohen me pikë në bazë të numrit të dokumenteve që do të kenë nga ato që kërkohen.
Kategoritë
Programi i ri i qeverisë britanike i ndan emigrantët në pesë kategori në bazë të pikëve që do të mbledhin, duke përcaktuar në këtë mënyrë edhe të drejtën e emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e emigrantëve jashtë Bashkimit Evropian do të kenë nevojën e një sponsori britanik, qoftë sipërmarrjeje apo institucioni akademik, në mënyrë që të shkojnë në këtë shtet.
Kategoria e parë
Në kategorinë e parë do të bëjnë pjesë të gjithë emigrantët e kualifikuar. Ashtu sikurse përcaktohet edhe në skemën aktuale, Britania përpiqet të tërheqë emigrantët e aftë, në mënyrë që të ndihmojnë në zhvillimin e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar. Emigrantët që do të bëjnë pjesë në këtë kategori do të mund të tërheqin familjarët e tyre në Britani dhe janë të lejuar të qëndrojnë për më shumë se dy vjet. Ky është edhe grupi i vetëm që nuk ka nevojë për sponsor.
Kategoria e dytë
Në këtë kategori do të përfshihen vetëm emigrantët me ftesë pune. Sipas qeverisë britanike, mendohet se kjo do të sjellë fluks të madh emigrantësh në Britani, pasi bazohet në kërkesat e punëdhënësve të ishullit, të cilët përpiqen të marrin punëtorë me kosto dhe paga të ulëta. Këta emigrantë do të lejohet të tërheqin familjarët e tyre në Britani, pasi të kenë kaluar të paktën pesë vjet në vendin ishullor. Ata gjithashtu mund të ndryshojnë pronarin që i ka ftuar, ose mund të zhvendosen në kategorinë e parë, por duke dhënë dëshmi të reja në zyrën britanike të emigrimit.
Kategoria e tretë
Pas emigrantëve të kualifikuar që kanë një ftesë pune, ligji i ri përcakton emigrantët që nuk janë të kualifikuar. Për këta është e nevojshme që të kenë një ftesë të veçantë nga një sipërmarrje britanike për punë. Sipas ligjit të ri, ky grupim do të ketë kufizimet më të mëdha në Evropë. Këta emigrantë do të lejohet të qëndrojnë në Britani për maksimumi një vit dhe nuk kanë të drejtë as të bëjnë bashkim familjar e as të kalojnë në kategoritë pararendëse.
Kategoria e katërt
Studentët janë një kategori e veçantë, por edhe këta do të kenë kufizime të ndryshme. Në këtë mënyrë, një student nuk mund të ndryshojë universitetin, por mund të tërheqë familjarët për të gjithë kohën që kryen studimet e larta.
Kategoria e pestë
Emigrantët e përkohshëm janë në fund të listës së emigrimit britanik. Këta mund të jenë artistë vullnetarë, dhe të gjithë emigrantët e tjerë që nuk shkojnë në Britani për arsye ekonomike. Ata mund të qëndrojnë në ishull për një periudhë dyvjeçare dhe duhet të jenë ndërmjet 18 dhe 30 vjeç. Vlen të theksohet se ky grupim nuk mund të ndryshojë kategori dhe nuk mund të kryejë bashkim familjar.
Kushtet
Çdo emigrant që do të shkojë në Britani për arsye punësimi duhet të lërë peng në zyrën e emigracionit një pasuri në vendin e origjinës, e cila do të sigurojë autoritetet ishullore, që emigranti do të kthehet në vendin e origjinës kur të mbarojë afati. Kjo bëhet për të zvogëluar numrin e emigrantëve ilegalë në Britani.
Gjithashtu, emigrantët do të marrin pikë në testin e tyre virtual në bazë të moshës, përvojës në punë, si edhe nevojës së tregut britanik për punën që mund të kryejë aplikanti. Për më tepër ata do të duhet të kenë një kërkesë nga një punëdhënës britanik për të shkuar në vendin ishullor.
Në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë afërsisht 300 mijë emigrantë ilegalë, ndërmjet të cilëve edhe shqiptarë, të cilët kanë shkuar në Britani për t`u punësuar pa pasur dokumentet e nevojshme. Të gjithë ata që dëshirojnë të pajisen me lejen e qëndrimit në Britani do të duhet gjithashtu të japin provimin e gjuhës dhe të përgjigjen në disa pyetje rreth kulturës dhe temperamentit të britanikëve për të marrë vërtetimin e shumëpritur.