Tema kryesore e debateve në Administratën e Obamës është politika afgane, “beteja mendore” midis këshilltarëve ushtarakë dhe civilë. Këshilltarët ushtarakë - gjeneralët David Petraeus dhe Stanley McChrystal, bashkë me Admiralin Michael Mullen - besojnë se një strategji kundër kryengritjes, që ndihmoi në ndryshimin e situatës ushtarake në Irak në vitin 2007, do të bënte të njëjtën gjë edhe në Afganistan
Nga Foreign Affairs
Këshilltarët e Presidentit Barack Obama kanë rënë dakord me mendimin se talebanizmi është kryengritje dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një interes real që të pengojnë rikthimin e kësaj lëvizje në pushtet. Po përse, atëherë, disa argumentojnë kundër përdorimit të forcës ndaj kryengritjes dhe strategjisë së planifikuar për të luftuar kundër revoltave të tilla? Tema kryesore e debateve në Administratën e Obamës është politika afgane, “beteja mendore” midis këshilltarëve ushtarakë dhe civilë. Këshilltarët ushtarakë - gjeneralët David Petraeus dhe Stanley McChrystal, bashkë me Admiralin Michael Mullen - besojnë se një strategji kundër kryengritjes, që ndihmoi në ndryshimin e situatës ushtarake në Irak në vitin 2007, do të bënte të njëjtën gjë edhe në Afganistan. Këshilltarët civilë - Zëvendëspresidenti Joe Biden dhe të tjerë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë - sugjerojnë se Vietnami është një analogji me vend për Afganistanin. Për saktësi, ndonjë aktivitet ushtarak që kërkon të kundërshtojë kryengritjet quhet COIN ose kundër-rebelimi, siç përmendet shpesh kohët e fundit. Përse atëherë, këshilltarët civilë të Obamës argumentojnë kundër aktivitetit ushtarak të organizuar, i planifikuar ky për të kundërshtuar ardhjen në pushtet të talebanëve? Ky nuk është argument i ri. Për më shumë se 1 shekull, ushtria amerikane është organizuar, trajnuar dhe është armatosur për luftë konvencionale kundër armikut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ecur kaq mirë në këto luftime, saqë në dekadat e fundit asnjë konflikt konvencional nuk ka zgjatur më shumë se pak javë dhe të gjithë kanë përfunduar me triumfin amerikan. Në kontrast me të, në të njëjtën periudhë, ushtria amerikane ka pasur shpesh vështirësi gjatë procesit të pushtimit, duke stabilizuar shoqëritë që dilnin në shesh nga konflikti dhe duke ndihmuar dhe mbrojtur aleatët prej kërcënimeve të brendshme. Aftësitë që nevojiten për të kontrolluar këto lloj sfidash origjinale janë mprehur ngadalë gjatë dekadës së gjatë të përfshirjes SHBA’së në Vietnam. Dy vjet pas tërheqjes së fundit të forcave amerikane, Vietnami Jugor ra viktimë e ringjalljes së kryengritjes, por edhe e një zaptimi konvencional prej ushtrisë së Vietnamit të Veriut. Leksioni që del nga kjo luftë e kotë dhe mjaft e kushtueshme është shmangia e misioneve të ngjashme në të ardhmen. Si rezultat, kundër-rebelimi u eliminua nga plani i personelit amerikan. Kur u përballën me kryengritjet e dhunshme në Irak 3 dekada më vonë, ushtarët amerikanë duhej të kërkonin aftësitë e duhura për ta luftuar. Gjatë viteve vendi u gjend në një luftë civile, e cila u thellua edhe më shumë. Ndokush mund të argumentojë me legjitimitet për dobësimin e angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën afgane, por nuk ka kuptim të sajohen taktika dhe teknika më të mira kundër kryengritjes. Amerikanët e kanë kuptuar më së miri në Irak, se lufta kundër kryengritjes kërkon një zbatim më modest dhe më të kontrolluar të forcës, një strategji më të drejtuar politikisht, njohuri më të mëdha për shoqërinë e atjeshme dhe më shumë bashkëveprim me popullatën civile, sesa me betejën konvencionale. Mbase dallimi më i rëndësishëm midis dy formave të luftimit është fokusimi te goditja e kryengritjes, më pak te vrasja e kryengritësve dhe më shumë te mbrojtja e popullsisë nga dhuna e kryengritësve dhe kanosja. Është ngritur një debat legjitim për faktin se sa duhet të investojë ushtria amerikane në luftën kundër kryengritjes. Por, askush nuk argumenton me seriozitet se taktikat e luftës kundër kryengritjes nuk janë domosdoshmërish të nevojshme për t’i rezistuar kryengritjeve. Te “Ngadhënjimi ka mijëra baballarë”, një studim ky për 30 luftërat civile më të fundit në botë, analisti i quajtur Christopher Paul zbuloi një korrelacion të përsosur midis praktikave kundër rebelizmit dhe fitores qeveritare. Ai zbuloi një korrelacion tjetër të përsosur midis praktikave të këqija COIN dhe suksesit të kryengritësve. Praktikat e dobishme të nxjerra në pah përgjithësisht janë ato të fushës manuale ushtarake amerikane të luftës kundër kryengritjes. Praktikat e këqija përfshijnë një besim të tepruar në misionet shkatërruese, vënien në funksion të masave ndëshkuese e shtypëse dhe një pandjeshmëri ndaj viktimave civile. Ky korrelacion nuk do të thotë se strategjia më e mirë amerikane kundër kryengritjes domosdoshmërish do të triumfojë në Afganistan. Suksesi kërkon nga qeveria afgane që ta marrë seriozisht luftën kundër rebelizmit dhe nga qeveria pakistaneze të mos ia lejojë më vetes të strehojë rebelët afganë brenda territorit të vet. Studimi sugjeron gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vazhdojnë të bëjnë shpërndarjen e duhur në luftimet në Afganistan. Në të vërtetë, një element i praktikës së dobishme për luftën kundër rebelizmit është duke zhvendosur te forcat vendase, që janë në gjendje të përballen me konfliktet përbrenda shoqërisë së vendit të tyre. Ajo që sugjeron ky studim është angazhimi më i pakët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën në Afganistan. Kritikuesit e luftës kundër rebelizmit kanë argumentuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të nisin luftën kundër terrorizmit. Pikërisht çmimi dhe rreziku janë temat e debatit midis këshilltarëve civilë dhe ushtarakë, presidencialë. Ata që përkrahin ndryshimet te lufta kundër kryengritjes, si pasojë rrezikojnë që Presidenti afgan Hamid Karzai apo ndonjë paraardhës miqësor mund të vazhdojnë të kenë pushtet në Kabul. Këshilltarët ushtarakë dhe civilë të Presidentit amerikan Obama argumentojnë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vazhdojnë të forcojnë qeverinë në Kabul dhe të parandalojnë pushtimin e talebanëve. Atëherë, cilat janë teknikat që nevojiten për t’ia dalë mbanë në këto përpjekje?