English

UGK, i shqetësuar për gjendjen e mediave

Prishtinë, 5 nëntor - Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), paraqitet tejet i shqetësuar me gjendjen e lirisë së shprehjes në Kosovës, pas publikimit të Raportit më të ri të Progresit të Komisionit Evropian që ka të bëjë me lirinë e mediave.

Në një deklaratë të posaçme për shtyp, ky organizëm është shprehur se “kjo gjendje e mediave është e patolerueshme dhe duhet të intensifikohen përpjekjet për ngritjen e lirisë së shprehjen dhe përmirësimin e lirisë së veprimit të gazetarëve, në mënyrë që Kosova të shënoj progres në raportet e ardhshme”.

“Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), ka ngritur vazhdimisht zërin për gjendjen e vështirë në të cilën po kalojnë mediat, ndërkaq ka bërë kërkesë dhe përsëri kërkon që të ndërmerren hapa të menjëhershëm nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për përmirësimin e kësaj gjendje”, citon deklarata.

Duke shtuar se kohëve të fundit janë shtuar presionet mbi mediat, por nuk kanë munguar as kërcënimet ndaj ekipeve të mediave dhe gazetarëve. Prandaj UGK, i ka bërë thirrje institucioneve kompetente dhe përsërit thirrjen që njerëzit që kanë penguar dhe e pengojnë fjalën e lirë të vihen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

“UGK, konsideron se liria e shprehjes është njëri ndër kriteret për anëtarësimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike, prandaj duke pas parasysh këtë, UGK bënë thirrje për plotësimin e këtij standardi. Ai u bën thirrje kolegëve gazetarë që për asnjë moment të mos lejojnë që t’i nënshtrohen presioneve politike, mirëpo në vazhdimësi ta ngrejnë zërin për lirinë dhe mundësinë e veprimit të tyre”, përfundon deklarata në fjalë.

n.e/NOA

KOMENTE