English

Arkivi i Ballit Kombëtar në diasporë vjen në Tiranë, 50 vite histori në dokumente

Tiranë, 6 nëntor, NOA - Partia e Ballit Kombëtar Demokrat mori në dorëzim të shtunën arkivën 50 vjeçare të aktivitetit të saj në Amerikë, i cili iu dorëzua nga Kryetari i Komitetit në Diasporë, Nihat Bakalli.

Materiali është mbledhur nga Vasil Andoni, Sekretar i Përgjithshëm i Ballit në Diasporë dhe ato janë dëshmi e veprimtarisë së udhëheqësve të partisë qysh kur ata u larguan në mërgim, në fund të vitit 1944, kur komunistët morën pushtetin me dhunë në Shqipëri.

“Siç e shihni, Arkiva e Ballit në mërgim i dorëzohet Ballit Kombëtar Demokrat,” tha Nihat Bakalli, i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të materialeve, në selinë e PBKD, në Tiranë.

“Më në fund kjo arkivë, e kthyer në Shqipëri, po kthen kujtesën e historisë demokratike të një Partie me traditë kombëtare,” u shpreh Artur Roshi, kryetar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat.

“Kjo arkivë është një dëshmi e rrugës së gjatë të nacionalistëve shqiptarë drejt demokracisë,” tha zoti Roshi.

Partia e Ballit Kombëtar Demokrat u krijua nga Mid’hat Frashëri dhe përkrahësit e tij në 31 dhjetor 1945 në Rexho Emilio të Italisë.

“Qysh atëherë PBKD nuk e ka ndalur aktivitetin e saj, siç e konfirmojnë dhe dokumentat që ne marrim sot në dorëzim dhe që do të jenë të hapura dhe për historianët dhe studiueti,” tha zoti Roshi.

Sipas zoti Roshi, arkiva përfshin dokumente, gazeta, letërkëmbime, libra dhe mjaft objekte të tjera.

“Jemi të sigurt se ky material do t’u shkojë në ndihmë jo vetëm historianëve të paanshëm, por dhe anëtarëve të thjeshtë të Ballit dhe publikut të gjerë, duke nxjerrë të vërtetën e Ballit, në Shqipëri e mërgim,” tha Nihat Bakalli.

NOA

KOMENTE