English

Berisha: Ata që deshën ta fusin lëvizjen e lirë në kuti, le të mbeten vetë në bunker

Shkodër, 6 nëntor, NOA - “Shpreh gëzimin dhe kënaqësinë time se takohemi sot së bashku në agun e një vendimi madhor historik të Evropës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Vendimit për lëvizjen e lirë të shqiptarëve njërit prej banorëve më të vjetër të këtij kontinenti në mbarë Evropën, përbën shndërrimin në realitet të asaj ëndrre për të cilën ju sakrifikuat, të cilën ju e mbajtët gjallë pavarësisht nga çmimi që paguat”.

Kështu u shpreh kryeministri Berisha gjatë takimit sot në qytetin e Shkodrës, me rastin e përfundimit të punimeve të dy rrugëve, si dhe të shatërvanit të ri.

“Ideali juaj i lirisë po bëhet realitet, sepse ju qytetarët dhe qytetaret e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dëshmuat se jeni të vendosur të votoni të lirë si të gjithë qytetarët e Evropës. Ata që deshën të fusin lëvizjen tuaj të lirë në kuti, le të mbeten vete në bunker, ne do të ecim drejt Evropës pa u ndalur”, bëri apel Berisha ndaj opozitës nga qyteti i Shkodrës.

Duke shtuar se gjatë këtyre viteve në Shkodër janë investuar dhjetëra herë më shumë se vitet e qeverisjes tjetër, por gjatë këtyre tre viteve investimet do të shumëfishohen, se qeveria do të bëjë çdo gjë për asfaltimin e çdo rrugë dhe rrugice të këtij qyteti.

“Lëvizja e lirë nuk përbën një dhuratë, por përbën një proces në të cilin ne dëshmuam seriozitetin dhe përkushtimin më të madh. Lëvizja e lirë, vjen si rezultat i faktit se ne, në përkushtimin tonë seriozitetin tonë, bëmë që Shqipëria të jetë njëri nga vendet më të sigurta në Evropë. Lëvizja e lirë vjen si dëshmi e sigurisë së madhe të krijuar në këtë vend, i cili ka pritur këtë vit rreth 3.5 milion turistë dhe kanë ardhur të sigurt si në shtëpitë e tyre, janë larguar të sigurt si nga shtëpitë e tyre”, tha më tej kryeministri Berisha.

Duke përfunduar se në këtë rrugë, përpjekjet tona kanë qenë shumë të mëdha, sakrificat tona kanë qenë të dhimbshme, të mundimshme, por rruga jonë është rruga e suksesit, rruga e dinjitetit rruga e lirisë, ne e nisëm këtë rrugë duke qenë jo vite, por shekuj drite larg Evropës së zhvilluar dhe të qytetarët.

“Në një hark kohor 20 vjeçar, ne ia dolëm së bashku, që Shqipërinë ta anëtarësojmë në NATO. Ne ia dolëm së bashku që të meritojmë lëvizjen e lirë në mbarë Evropën. Ne të sigurt do të ecim në procesin e integrimit evropian”, shtoi ai.

n.e/NOA

KOMENTE