Imola (Itali), 6 nëntor, NOA – Një i ri shqiptar është arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia italiane me akuzën për zjarrëvënie. Korrespodenti i Agjencisë NOA në Itali bën të ditur se bëhet fjalë për një 29-vjeçar, i cili prej kohësh ishte në ndjekje nga policia e vendit fqinj. Janë të paktën pesë makina, djegia e të cilave mendohet se është shkaktuar nga i riu shqiptar, emri i të cilit nuk është bërë ende i ditur.
Korrespodenti i NOA raporton se ndalimi i shqiptarit është bërë në orën 03:00 të mëngjesit, kur 29 vjeçari ka qenë duke i vënë flakën makinës së gjashtë.
Pasi thyente disa xhama të makinave, i riu hidhte benzinë brenda saj dhe në pjesën e jashtme dhe më pas i vinte flakën.
Makinat zgjidheshin rastësisht dhe kjo sipas policisë ka bërë që të dyshonin për një piromanë që i digjte ato thjesht për kënaqësi.
Të gjitha makinat ishin djegur në rrugën “Cartesio” në Imola. Pas arrestimit 29-vjeçari është marrë në komisariatin e Imolës dhe po pyetet për arsyet që e kanë çuar në djegien e makinave.
b.s/a.k/NOA