English

Ish-kryeministri Kosumi, formon lëvizje të re

Prishtinë, 6 nëntor, NOA – Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, do të marrë pjesë në zgjedhjet e reja elektorale të vendit të tij përmes një lëvizje të re që ka krijuar nën titullimin “Për Demokraci”. Një fakt të tillë ai e ka bërë vetë me dije për publikun, duke sqaruar konkretisht se është duke e krijuar një lëvizje qytetare, me të cilën do të garojë në zgjedhjet e reja.

“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës dhe përfundimit të mandatit tim si deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale, e informoj opinionin publik se garën zgjedhore do ta bëj në formacion të ri politik, bashkë me një pjesë të bashkëpunëtorëve të hershëm dhe të tashëm. Unë në këto zgjedhje do të garoj me formacion të ri politik, por po me ato ideale të hershme: jetësimin e shtetit, krijimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Për këtë qëllim ne jemi duke e themeluar lëvizjen qytetare ‘Për Demokraci’”, thuhet në deklaratën e Kosumit.

Duke falënderuar partinë AAK për mbështetjen gjatë këtyre viteve, ai ka pohuar se bashkë me të, ka bërë bashkë kemi bërë histori.

“Unë mbetem i përkushtuar përgjithmonë për punën e përbashkët me ta”, tha ai.

n.e/NOA

KOMENTE