English

Meta: Çertifikatat ISO, pasaportat biometrike për biznesin

Berat, 6 nëntor, NOA - Ministri i Ekonomisë, Ilir Meta ishte sot në Berat për të marrë pjesë në ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave ISO 90012008 për shtatë kompani që operojnë në biznesin fason.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e kompanisë “Center Shqiptare”, ai shoqërohej nga deputetetët Nasip Naço dhe Lefter Maliqi, nga kryetari i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla si edhe përfaqësues të USAID-it dhe Kooperacionit Italian.

Kompanitë që u pajisën me këtë çertifikatë nga Meta janë konkretisht “Meko ‘98”, “Lorna”, “Ola-1”, “Stella”, “Venalisa”, “Center Shqiptare” dhe “Patrik”.

Ndërkaq, edhe Dhoma e Fasonistëve të Shqipërisë u nderua me një çertifikatë për bashkëpunimin dhe dialogimin e vazhdueshëm me homologet e veta jashtë Shqipërisë. Këto certifikata jepen nga instituti italian “Certificazione Di Qualita” (CDQ).

Kryetari i Dhomës të Fasonëve, Gjergji Gjika falënderoi qeverinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe vlerësimin maksimal që i ka dhënë dhe po i jep vazhdimisht sektorit fason, por edhe biznesit shqiptar në përgjithësi.

Ndërsa Meta tha se me çertifikatat ISO të standardeve ndërkombëtare kompanitë do të mund të konkurrojnë denjësisht në tregjet globale.

“Sot ju merrni çertifikatat e standardeve ndërkombëtare, që do të thotë se ju tashmë keni krijuar një biznes tepër konkurrues për tregjet ndërkombëtare. Kjo tregon se keni ndërtuar kapacitete reale që premtojnë më shumë gatishmëri për produkte dhe shërbime që u përgjigjen kërkesave të konsumatorëve evropianë”, tha ai.

n.e/NOA

KOMENTE