English

Nis prodhimi i përshpejtuar i pasaportave, dokumenti është gati për 2 ditë

Tiranë, 6 nëntor, NOA – Ministria e Brendshme ka autorizuar nisjen e procedurave të përshpejtuara për prodhimin e pasaportave biometrike. Kështu qytetarët nuk do të presin më dy jave për të marrë dokumentin, por vetëm 2 ose tre ditë. I vetmi ndryshim është më shumë se dyfishi i çmimit të kuponit që përdoret për aplikim.

Sipas Ministrisë së Brendshme aplikimet e reja do të nisin nga data 8 nëntor 2010. Procedura është e mundur vetëm në kryeqytet. Marrëveshja është bërë mes Ministrisë së brendshme dhe kompanisë “Aleat”.

“Të gjithë të interesuarit për një shërbim të tillë mund të blejnë kundrejt shumës 15 mijë lekë të reja kuponat për procesim të përshpejtuar të pasaportës biometrike në zyrën qendrore postare të Tiranës dhe në zyrën postare të njësisë bashkiake nr:3 në

Tiranë”, sqaron Ministria e Brendshme në lidhje me procesin e ri.Sipas Ministrisë aplikimi u mundësohet të gjithë shtetasve të Republikës së Shqipërisë, por do të kryhet vetëm pranë zyrave të “Aleat” në njësitë bashkiake 3, 4 dhe 10 të Tiranës.

Nëse një person aplikon deri në orën 11:00 pasaporta do të prodhohet në dy ditë pune.Nëse shtetasi aplikon pas orës 11:00 pasaporta do të prodhohet për tre ditë.

Ndërkohë që tërheqja e pasaportave të prodhuara në mënyrë të përshpejtuar do të bëhet çdo ditë në orën 16:00 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

a.k/NOA

KOMENTE