Haiti, 6 nëntor, NOA – Pasi përjetuan një tërmet katastrofal në janar të këtij viti, haitianët tani përballen me një katastrofë të re natyrore, uraganin Tomas.
Ai po shkakton erëra të fuqishme dhe pritet të forcohet ndërsa lëviz drejt verilindjes, ndërsa Qendra amerikane e Uraganeve thotë se qendra e tij do të kalojë pranë perëndimit të Haitit gjatë ditës së sotme.
Lidhur me këtë fakt, qeveria haitiane u ka bërë thirrje dhjetëra mijëra vetëve që jetojnë nëpër çadra që të gjejnë strehim të përshtatshëm, por shumica e tyre thonë se nuk kanë ku të shkojnë, ndërsa po u bëjnë thirrje mijëra vetëve që të largohen nga kampet e përkohshme.
Koordinatori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare në Haiti, Nigel Fisher, tha se ishte e pamundur që të gjithë banorët e kampeve të largoheshin prej andej.
"Pa patur shërbimet sanitare dhe ushqime e ujë, do të ishte çmenduri që t'i lëviznim njerëzit nëpër kampe, të cilët do të tejmbusheshin me njerëz pa patur kushte sanitare. Druhem se shumë vetë do të mbesin nën çadra dhe ne do të presim që me të mbaruar shiu, të fillojmë operacionet e shpëtimit", tha ai.
n.e/NOA