Tiranë, 6 Nëntor, NOA – “Është e pavërtetë ulja e taksave në tërësi, sepse në qoftë se ka një ulje taksash është vetëm për më të mëdhenjtë, ndërkohë që gjithë shtresat më poshtë sesa biznesi i madh paguajnë më shumë taksa sot se ç’kanë paguar pesë vjet më përpara. Paguajnë më shumë taksa sot mësuesit, paguajnë më shumë taksa mjekët, paguajnë më shumë taksa të gjithë rrogëtarët e shtetit, deri tek pastruesit”.
Kështu është shprehur sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjatë takimit të Shoqatës për Autonomi Vendore, ku ka theksuar se sot paguajnë më shumë taksa të gjithë bizneset.
“Sot biznesi i vogël nuk është e vërtetë që paguan më pak taksa se sa ç’paguante 5 vjet më përpara kur Sali Berisha erdhi si çliruesi i biznesit, sepse sot paguan 10% e taksës së sheshtë, paguan 20% TVSH ku do futen ata që janë edhe 2 milion xhiro, paguan edhe detyrimet e pushtetit vendor. Pra është jo ulur, por disa-fishuar barra. Është një miks midis dështimit të plotë financiar të qeverisë dhe planit pervers për të paralizuar bashkitë dhe për t’i marrë “rob” gjithë bashkitë opozitare përpara se të futen në fushën e betejës”, tha ai.
Duke përfunduar se nuk ka pikë dyshimi që gjithë procesi i kasave është i korruptuar, që gjithë mënyra sesi u zhvilluar ky proces është qartësisht shprehje e korrupsionit dhe momenti i kthimit të timonit nga grabitja drejtpërdrejtë e bizneseve tek grabitja e qytetarëve, duke grabitur buxhetet e bashkive, ka qëllimin e qartë që me një gur të vrasë dy zogj, nga njëra anë ti marri të gjitha fitimet e parashikuara nga ky korrupsion, nga ana tjetër t’i godasë në mënyrë fatale bashkitë opozitare duke synuar paralizimin e plotë të tyre, për t’i marrë “rob” në prag të betejës elektorale.
“Kjo është një vepër kriminale, antikushtetuese, antidemokratike, antiqytetare, barbare, për ta marrë me dhunë atë që Sali Berisha nuk ka për ta marrë. Nuk ka për ta marrë fitoren e zgjedhjeve të ardhshme çfarëdo që të bëjë”, përfundoi Rama.
n.e/NOA