Prishtinë, 7 Nëntor 2010 NOA - Këto ditë, doli nga shtypi drama “Van Goghu kosovar” e dramaturgut nga Kosova Ilir Muharremi. Drama ka në qendër të vëmendjes një piktor 22-vjeçar, i cili përjeton momente të vështira gjatë periudhës së rinisë, gjë që i kushton shumë shtrenjtë në fazat e mëvonshme të jetës.
Në luftë ushtria serbe ia vret nënën, babanë dhe motrën. I tmerruar nga masakrimi i familjes, ai kalon në skizofreni. Tërë ngjarja pasqyron jetën e tij prej skizofreni, nga e cila në fund nuk mund të shërohet, andaj si ‘strehë’ e gjen çmendinë.
Fqinji që banonte përballë shtëpisë së tij është i pari që zbulon skizofreninë e tij.
Kjo vepër tashmë shitet në të gjitha libraritë e Prishtinës, dhe në libraritë e Shkupit. Pritet që javën në vazhdim të shpërndahet edhe në Shqipëri.
Kjo dramë, para se të botohej ishte dhënë edhe si shfaqje me regji të Hazir Sh. Haziri, ndërkaq sipas Muharremit ajo ishte pritur shumë mirë në Shqipëri, Mal të Zi dhe në Maqedoni.
“Si në lojën e aktorëve, në konceptin regjisorial, dhe në kompozicion dramatik, strukturë, vepra është konsideruar e suksesshme. Andaj, vendosa ta botoj si libër, që adhuruesit e teatrit, po ashtu edhe njerëzit e thjeshtë, ta kenë në duar një vepër psikologjike, me nuanca të absurdit dhe ekspresionizmit”, thotë Ilir Muharremi.
Sipas tij qëllimi i kësaj drame ka qenë pasqyrimi i luftës së vitit 1999 në Kosovë dhe të zbardhen pasojat e luftës “në individin-artist të pafajshëm”.
“Artin e përdori si estetikë, ose heqje të pluhurit. Bashkojë problemin psikologjik me artin, i cili në vazhdimësi lexuesin e shpie në kulmin e dramës. Në disa pjesë, filozofia luan edhe rol kryesor. P.sh. Trajtimi i vdekjes, raportet e të gjallëve me të vdekurve, dhe vdekja ne vjen si diçka e bukur, festuese e jo dhimbje”, thotë Muharremi.
e.r/NOA