English

Kryeministri, i telefonon Sejdiut: Gara për kreun do t’ju bashkojë rreth vlerave të LDK

Berisha uron Mustafën që mori kreun e LDK: Sukses i merituar

Tiranë, 7 Nëntor 2010 NOA – Jo vetëm me fituesin e zgjedhjeve brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe me humbësin e tyre, ish-Presidentin e dorëhequr, Fatmir Sejdiu, ka folur pasditen e sotme kryeministri shqiptar Sali Berisha.

Zyra e shtypit të kryeministrit i tha agjencisë NOA se Berisha zhvilloi një bisedë telefonike me ish-kryetarin e LDK, dhe ish kryetarin e Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu.

“Kryeministri i shprehu z.Sejdiu respektin dhe vlerësimin e tij për kontributin e tij të çmuar në udhëheqjen e Kosovës dhe LDK-së, si dhe për garën dinjitoze që zhvilloi Kuvendi i LDK-së, nën drejtimin e tij”, - nënvizon deklarata e zyrës për shtyp të Kryeministrit.

Mësohet se shefi i qeverisë Berisha shprehu bindjen se kjo garë do të bashkojë dhe më tej Lidhjen Demokratike të Kosovës rreth vlerave mbi të cilat ajo është themeluar.

***

Më herët, Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pati një bisedë telefonike me kryetarin e sapozgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njëkohësisht, kryetar i Bashkisë (komuna) së Prishtinës.

Zyra e shtypit të kryeministrit i tha agjencisë NOA se në këtë bisedë miqësore, kryeministri Berisha i përcolli z. Mustafa urimet e tij më të mira me rastin e zgjedhjes së tij sot, në krye të LDK.

“Berisha e përgëzoi z.Mustafa për suksesin e merituar, sikundër i kërkoi atij të përshëndeste të gjithë delegatët e Kuvendit të LDK për suksesin e punimeve të Kongresit të tyre, për garën e shkëlqyer dhe demokratike në zgjedhjen e udhëheqjes së tyre”, - përfundon deklarata e zyrës për shtyp të Kryeministrit.

e.r/NOA

KOMENTE