Tiranë, 7 nëntor, NOA – Ndërsa ora e marrjes së vendimit për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen ka nisur numërimin mbrapsht, në Tiranë këtë të dielë jemi përballur me tabela të reja, rrugore, tabela që shënjojnë largësitë nga Tirana të kryeqendrave evropiane, që nga mesi i dhjetorit pritet të jenë vetëm kilometra larg, dhe jo përballje pafund me mure vizash...
Tabela të tëra të vendosura nëpër semaforët e kryeqytetit përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” apo ai “Zhanë d’Ark”, tregojnë se sa kilometra larg janë Parisi, Berlini, apo Roma e Milano, pas vendimit të shumëpritur të heqjes së vizave për shqiptarët një ëndërr që miliona banorët e këtij vendi të vogël të Evropës Juglindore e kanë pritur ta jetojnë prej vitesh.
Por, tabelat edhe kanë shtangur për pak momente shoferët nëpër rrugët e kryeqytetit, por pse jo edhe turistët e huaj, të cilët përmes tyre orientohen, për aq kohë sa të mund të kuptonin se tabelat nuk tregojnë një rrugë në kryeqytetin shqiptar, por janë lajmëtaret e heqjes së kufijve me Evropën...
Si për çudi, data e këtij vendimi të rëndësishëm për shqiptarët, pas 20 vitesh tranzicion përkon me 8 nëntorin, një datë që për shqiptarët stigmatizonte para 20 vitesh, përvjetorët e themelimit të Partisë Komuniste, në nëntorin e vitit 1940.
Pikërisht 70 vjet më vonë, 8 nëntori ndoshta rikthehet për të shndërruar prej nesër, destinacionin e kujtesës historike, në Ditën kur do të kujtohet heqja e murit të vizave dhe Lëvizjen e lirë për shqiptarët në mbarë Evropën.
Nga nesër, 8 nëntori do të shënjohet në historinë e brishtë të demokracisë shqiptare, si dita e heqjes së vizave, pasi pas votave unanime në Parlamentin Evropian, pritet të mos ketë pavendosmëri e dyshime as në këshillin e Ministrave të Brendshëm që nesër në Bruksel do të vendosin nëse shqiptarët do të lëvizin të lirë në Evropë, edhe pse një liri lëvizjeje e kushtëzuar me disa detyrime, në qëndrimin në hapësirën Shengen.
Por ndërsa 8 nëntori rrëzon mitin e themelimin të partisë Komuniste dhe revanshin e saj në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore, statuti i Shqipërisë si kandidate në BE mbetet mbetet ende larg një opinioni pozitiv, që mbi të gjitha i detyrohet pavullnetit të politikës shqiptare për arritjen e një kompromisi, pika kyç për që dëshmon se Shqipëria është ende larg demokracive evropiane.
Andaj për këdo do të lindte pyetja, është rastësi apo një datë e shënjuar enkas për të shndërruar një kujtim famëkeq pë shqiptarët?...
mit/NOA