Lushnje, 7 nëntor, NOA – “Këto ditë do të merret edhe vendimi i fundit pas disa vendimeve të rëndësishme të Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë. Është arritja më e madhe më e jashtëzakonshme dhe më konkrete, e cila prek interesin e çdo qytetari të këtij vendi. Është një arritje shumë e madhe, sepse kemi qenë vendi më i izoluar në Evropë përpara 20 viteve”.
Kështu e ka shprehur entuziasmin e tij dhe kënaqësinë për vendimin historik të heqjes së vizave, një vendim që pritet të merret të hënën më 8 nëntor, nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe numri dy i qeverisë, Ilir Meta gjatë takimit me simpatizantë të LSI-së, në qytetin e Lushnjes.
Lideri i LSI-së u shpreh ndërkaq se liberalizimi i vizave për shqiptarët është arritja më e madhe, që prek interesin e çdo qytetari dhe kjo i jep fund vuajtjeve të shqiptarëve në këto 20 vite për të kaluar kufirin.
Sipas Metës, ky vendim vjen falë progresit dhe arritjeve të bëra nga qeveria në përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Në këtë kontekst, zoti Meta u bëri me dije lushnjarëve se për të udhëtuar në hapësirën Shengen pas heqjes së vizave do t’u nevojitet vetëm pasaporta biometrike, pa nevojën për t’u endur më nëpër dyert e ambasadave.
Kreu i LSI-së, vërejti se qëllimi i qeverisë është që sikundër qytetarët shqiptarë të ardhmen e tyre evropiane ta shohin në Shqipërinë evropiane, edhe banorët e Lushnjes ta shohin të ardhmen e tyre në Lushnjën evropiane.
Andaj sipas Metës, prioritet i LSI-së mbetet punësimi, zhvillimi i bujqësisë, dhe mbështetja e fermerëve dhe atyre që punojnë në sektorin agro-përpunues, për të cilën sikundër kreu i LSI-së tha, “Lushnja ka potenciale të jashtëzakonshme, që ende janë të pashfrytëzuara”, si në Lushnje edhe në Myzeqe, duke mos lënë mënjanë zhvillimin e çdo lloj industrie dhe aktiviteti privat.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë takimit me mbështetës të LSI-së në Lushnje shpërndau 150 karta anëtarësie për anëtarët më të rinj të LSI-në në këtë qytet.
Gjatë fjalës së tij drejtuar anëtarëve të rinj, Meta tha “Lsi është një parti që i ka dyert e hapura për ripërtëritjen e anëtarësisë, duke integruar të gjitha kontributet, të cilët i kemi të domosdoshëm për t’u konsoliduar më tej si forcë progresiste, për të cilën natyrisht edhe qyteti i Lushnjes ka shumë nevojë”.
mit/NOA