English

Meta : Zgjedhja e Mustafës sukses për demokracinë në Kosovë

Tiranë, 7 nëntor, NOA - Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka uruar kryetarin e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën i sapozgjedhur në këtë detyrë.

Këtë urim Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ia ka dhënë zotit Mustafa përmes një bisede telefonike që zhvilloi me të pas votimit të Mustafës nga delegatët e kuvendit të shtatë të LDK-së.

Kryetari i LSI-së i shprehu kreut të ri të LDK-së urimet e tij për fitoren në mbledhjen e sotme të Kuvendit Zgjedhor të kësaj partie.

Zoti Meta vlerësoi dhe zhvillimin e procesit zgjedhor brenda partisë dhe frymën evropiane që shoqëroi gjithë votimin.

Duke u ndalur në këtë pikë, kreu i LSI-së, i tha zotit Mustafa, se zgjedhja e tij në krye të LDK-së është sukses për demokracinë në Kosovë.

Kreu i LSI-së, Meta i ka uruar kreut të ri të LDK-së, Isa Mustafa suksese në sfidat dhe problematikën, me të cilën përballet sot shteti i Kosovës, si dhe në procesin e integrimit në familjen evropiane.

Isa Mustafa që është ende aktualisht edhe kryetari i Bashkisë së Prishtinës u zgjodh sot kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 235 vota kundrejt 124 votave të Fatmir Sejdiut, duke u shpallur në krye të partisë për katër vitet e ardhshëm.

mit/NOA

KOMENTE