Prishtinë, 7 Nëntor 2010 - Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi” ka publikuar të shtunën një hulumtim lidhur me disponimin e qytetarëve për dalje në zgjedhje si dhe preferencat e tyre për partitë më të mëdha në vend.
“Gani Bobi” nuk ka bërë të ditur se kush e ka porositur këtë sondazh, por burime të Express thonë se hulumtimi është bërë me kërkesën e një dege të LDK-së në kryeqytet që përkrah Isa Mustafën në garën për Kryetar të LDK-së.
Hulumtimi është realizuar me 900 persona, në periudhën 23 tetor - 1 nëntor dhe shifrat e publikuara paraqesin rezultatet preliminare, raporton “Zëri”.
Bazuar në këtë sondazh, në zgjedhjet e 12 dhjetorit janë të interesuar të marrin pjesë 74 për qind e qytetarëve. Vetëm 13 për qind kanë deklaruar se nuk do të votojnë, kurse 12 për qind ende nuk janë përcaktuar për këtë.
Në pyetjen se për cilën parti do të votoni nëse zgjedhjet mbahen të dielën e ardhshme, respodentët më shumti përkrahje i kanë dhënë PDK-së - 35,1 për qind. Pas saj është LDK me 27.3 %, AAK-12.5, Vetëvendosje - 11.9, AKR-7.2, FER–4.9, LDD–3.1, dhe Partia e Drejtësisë 1.4 për qind.
Është hulumtuar edhe preferenca e votuesve të LDK-së për Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafen brenda 900 respodentëve. Sipas “Gani Bobit”, 70,9 për qind e të anketuarve preferojnë që Kryetar i LDK-së të zgjidhet Isa Mustafa, ndërkaq 29.1 për qind e dëshirojnë Fatmir Sejdiun.