Tiranë, 7 Nëntor 2010 NOA - Komisioni Europian pritet të publikojë më 9 nëntor 2010 “Opinionin” mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ndaj, analizimi i këtij momenti është i rëndësishëm për ardhmërinë e procesit të aderimit në BE të Shqipërisë. Në funksion të kuptimit sa më të mirë të këtij procesi, Lëvizja Europiane në Shqipëri ka analizuar skenarët e mundshëm, bazuar mbi praktikën e deritanishme të procesit të zgjerimit, si dhe shanset e suksesit të Shqipërisë në këtë sipërmarrje.
Lëvizja Europiane në Shqipëri është një organizatë think tank e cila synon përmirësimin e cilësisë së debatit në lidhje me procesin e integrimit europian.
Lëvizja shërben si forum për shkëmbimin e pikëpamjeve në sfidat politike, ligjore, ekonomike, dhe sociale me të cilat përballet Shqipëria në rrugën drejt integrimit europian. Lëvizja, në mënyrë analitike, vlerëson fenomenet në funksion të promovimit të ideve dhe instrumenteve që përmirësojnë procesin e integrimit europian.
Skenarët e një aplikimi
Përmbledhje e punimit: Skenarët e një aplikimi - Në pritje të Opinionit të Komisionit Europian për aplikimin e Shqipërisë në BE, Nëntor 2010
Komisioni Europian pritet të publikojë më 9 nëntor 2010 “Opinionin” mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Në funksion të kuptimit sa më të mirë të këtij procesi, ky punim analizon skenarët e mundshëm, bazuar mbi praktikën e procesit të zgjerimit, si dhe shanset e suksesit të Shqipërisë në këtë sipërmarrje.
Gatishmëria e Shqipërisë
Gatishmëria e një vendi vlerësohet në dy plane. Në planin teknik dhe bashkërendues të procesit sikundër në planin politik me vokacionin europian që duhet të dëshmojë vendi aplikant.
Me marrjen e Pyetësorit, qeveria shqiptare filloi punën për t’iu përgjigjur sa më shpejt duke ngritur grupe pune dhe struktura të posaçme në përbërje. Ndonëse disa përgatitje paraprake ishin ndërmarrë duke organizuar trajnime të ndryshme me ekspertë dhe duke përdorur pyetësorin e përgjigjet e Malit të Zi si test, procesi i përgatitjes së përgjigjeve u zhvillua në një terren të vështirë për shkak të përqasjes jo sistematike ndaj procesit të integrimit në përgjithësi.
Megjithatë as ky proces nuk i shpëtoi dot prirjes së përgjithshme të politikbërjes për të krijuar struktura të reja e të posaçme sa herë që detyra të reja dalin gjatë procesit të integrimit europian. Ndonëse procesi i përgjigjeve të Pyetësorit shkon përtej procedurave normale burokratike dhe është vazhdimisht nën presion e kohës, një përdorim më i mirë i strukturave institucionale dhe përvojave ekzistuese do të kishte kontribuar pozitivisht në cilësinë e procesit. Strukturat e para të integrimit evropian u ngritën para hapjes së negociatave të MSA. Strukturat kanë qenë pjesë e ristrukturimeve të vazhdueshme të shoqëruara kryesisht me lëvizje të kapaciteteve njerëzore. Por, intensifikimi i procesit nuk arriti të nxisë reagimin e duhur nga qeveria për t’i paraprirë punës voluminoze me Pyetësorin. Kështu në Raportin e Progresit 2009, KE-ja thekson se: “hyrja në fuqi e MSA-së në prill 2009, nuk u shoqërua me një forcimin e kapaciteteve administrative për të monitoruar angazhimet e MSA-së. Kapacitetet për koordinimin ndër-ministror mbeten të dobëta”.
Një tjetër element i dallueshëm ishte natyra hermetike e zhvillimit të procesit nga Qeveria shqiptare. Pyetësori i KE u mbajt konfidencial jo vetëm për të interesuarit jashtë administratës, por dhe për vetë nëpunësit e saj. Çdo institucion kishte akses vetëm në pyetjet e caktuara për institucionin e tyre dhe jo në të gjithë dokumentin. Metodologjia e miratuar nga Ministria e Integrimit sanksionoi se “Pyetësori i Komisionit Evropian dhe përgjigjet e hartuara nga institucionet shqiptare për pyetjet e tij janë konfidenciale”.
Përveç aspekteve teknike të procesit, një rëndësi thelbësore kanë reformat e ndërmarra nga Shqipëria në fushat të cilat kanë qenë vazhdimisht problematike.
Më kryesoret evidentohen qartë nga konkluzionet e Këshillit mbi Zgjerimin të 7 - 8 Dhjetorit 2009, ku nënvizohet se: “Forcimi i shtetit të së drejtës e veçanërisht lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe funksionimi siç duhet i institucioneve shtetërore, më specifikisht pavarësia e gjyqësorit, mbeten sfida urgjente për Shqipërinë. Kapacitetet administrative dhe ato të zbatimit të ligjit kërkojnë forcim të mëtejshëm, si dhe duhet siguruar pavarësia e administratës. Më shumë përpjekje nevojiten për të përmirësuar kushtet që mundësojnë lirinë e medias”.
Nga një vështrim krahasues ndër vite, vihet re se kjo problematikë, është kthyer në një pengesë serioze për procesin e demokratizimit dhe Europianizimit të Shqipërisë. Ndonëse në disa fusha ka pasur progres, kryesisht në hartimin e ligjeve, strategjive, planeve të veprimit, si dhe krijimin e strukturave e institucioneve të reja, nga ana tjetër moszbatimi i legjislacionit si problemi më kryesor i evidentuar, zhvlerëson pjesën më të madhe të këtyre arritjeve.
Një ndikim të qenësishëm në Opinionin e Komisionit Europian për aplikimin e Shqipërisë pritet të ketë situata politike e cila përveç rëndësisë që ka si pjesë e kriterit politik të Kopenhagenit, ka qenë pjesë kryesore e axhendës dhe shqetësimit të vazhdueshëm të përfaqësuesve të institucioneve të BE-së në raport me Shqipërinë.
Madje në një lëvizje të paprecedentë, dy drejtuesit e grupimeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian, Jozeph Daul dhe Martin Schulz shkuan edhe më tej duke theksuar qartë ndikimin e situatës politike në ecjen përpara të vendit, e cila mund të sjellë deri dhe ngrirjen e procesit.
Mesazhi i tyre: “ne do të preferonim që së bashku të kërkojmë një ngrirje të procesit të anëtarësimit derisa një zgjidhje e drejtë e mosmarrëveshjeve të arrihet, se sa të rrezikojmë një rekomandim negativ” ishte shumë i drejtpërdrejtë për të gjitha palët dhe për fat të keq, ende i vlefshëm, në kushtet kur ende nuk ka një zgjidhje politike në horizont.
Përgatitja e Opinionit dhe vendimi i Këshillit
Pas dërgimit të përgjigjeve nga qeveria shqiptare, Komisioni përgatit Opinionin i cili përmban vlerësimin nëse vendi në fjalë është i gatshëm të fillojë procesin e aderimit në BE. Më pas, Opinioni i Komisionit Europian shqyrtohet nga Vendet Anëtare të BE-së, të cilat duhet të vendosin në mënyrë unanime nëse do t’i akordojnë apo jo vendit aplikant statusin e kandidatit dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Skenarët e mundshëm
Praktika tregon se përgjithësisht në vendimin e marrë Këshilli Europian ka ndjekur rekomandimin e Komisionit, por në ndonjë rast të veçantë ka rrëzuar propozimin e bërë, si rezultat i situatave specifike gjeopolitike. Duke qenë se nga ana ligjore Traktati i BE-së nuk lidh domosdoshmërish hapjen e negociatave për anëtarësim me Opinionin pozitiv të Komisionit, atëherë Këshilli mund të vendosë t’i hapë ato Opinioni negativ. Nga ana tjetër, çdo vend anëtar mund të bllokojë hapjen e negociatave pavarësisht një Opinioni pozitiv të Komisionit.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshirë në Procesin e Stabilizim Asociimit vihet re aplikimi nga ana e BE-së i një ndarjeje ndërmjet statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim. Ky fenomen është më pak i dukshëm në rastin e Kroacisë, ku pati një ndarje më të vogël kohore (6 muaj) nga vendimi i dhënies së statusit kandidat deri në momentin e fillimit të negociatave për anëtarësim. Politika e ndarjes së hapjes së negociatave për anëtarësim nga statusi, shquhet më qartë në rastin e Maqedonisë, ku Komisioni i rekomandoi Këshillit dhënien e statusit kandidat por jo hapjen e negociatave për anëtarësim. Gjasat janë që kjo praktikë do të aplikohet dhe për vendet e tjera të rajonit (rasti më i afërt mund të jetë Mali i Zi).
Politika e ndjekur nga Komisioni dhe Këshilli me vendet e Ballkanit Perëndimor merr shkas nga problematikat që ato ndeshin në fushën e dialogut politik dhe ndërtimit të institucioneve demokratike, funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë, krijimit të kapaciteteve administrative, lirisë së medias, korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe nga vetë eksperiencat që BE-ja pati me aderimin e përshpejtuar të Bullgarisë dhe Rumanisë.
Megjithatë, duke iu referuar historisë së procesit të zgjerimit arrijmë në përfundimin se Komisioni ka dhënë vlerësime të ndryshme për gatishmërinë e vendeve aplikuese, duke rekomanduar ose jo hapjen e negociatave. Skenarët e rekomandimit të Komisionit në Opinion janë si më poshtë:
Vlerësimi pozitiv – Komisioni gjykon se vendi i plotëson kriteret e Kopenhagenit dhe rekomandon hapjen e negociatave për anëtarësim (Shembuj: Republika Ceke, Sllovenia, Polonia, Hungaria, Estonia, Qipro, Islanda, Kroacia).
Vlerësimi jo pozitiv - Komisioni gjykon se vendi nuk i përmbush plotësisht kriteret e Kopenhagenit, duke propozuar një periudhë tranzitore dhe një vlerësim të ri në të ardhmen para se të rekomandohet hapja e negociatave për anëtarësim (Shembuj: Greqia, Sllovakia, Rumania, Bullgaria, Turqia).
Vlerësimi status por jo negociata – Komisioni gjykon se vendi nuk i përmbush plotësisht kriteret e Kopenhagenit. Në Opinion nuk rekomandohet hapja e negociatave për anëtarësim por i propozohet Këshillit dhënia e statusit të vendit kandidat. Dhënia e statusit të vendit kandidat arsyetohet me dhënien e një shansi për vijimin e reformave, apo si një çmim për një kontribut të caktuar drejt stabilitetit në vend apo atij rajonal. Ky variant është një gjetje e Komisionit e përdorur deri tani vetëm në rastin e Maqedonisë, por që nuk përjashtohet të përdoret sërish, për shembull për Malin e Zi.
Skenari i mundshëm i Shqipërisë
Tashmë është e qartë se skenari i parë, ai marrjes së statusit së bashku me hapjen e negociatave është shumë i vështirë për tu realizuar. Skenari më i mundshëm për Shqipërinë gjendet midis: vlerësimit jo pozitiv (propozim një periudhë transitore dhe një vlerësim të ri në të ardhmen); dhe status por jo negociata (nuk rekomandohet hapja e negociatave për anëtarësim por i propozohet Këshillit dhënia e statusit të vendit kandidat).
Praktika na tregon se institucionet europiane kanë qasje të shumëllojshme të cilat lidhen me trajtimin e çështjeve rast pas rasti sipas meritave të vendit dhe kontekstit të brendshëm të vetë BE-së. Gjithashtu Shqipëria ka pasur teste të ngjashme të cilat ndonëse nuk e kanë shpallur një rezultat të dukshëm negativ, bashkëlidhja e kushteve dhe detyrimeve për tu plotësuar e kanë lënë të nënkuptohet atë.
Shqipëria vendosi precedentin e parë negativ në rajon në vitin 1999 kur nuk mori një përgjigje pozitive për të hapur negociatat me BE-në për nënshkrimin e MSA-së. Atë vit, në kuadër të Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit, BE nisi Marrëveshjet e Stabilizimi dhe Asociimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Hapi i parë procedural ishte hartimi i studimit të fizibilitetit , nga ana e Komisionit Europian, me anë të të cilit jepet vlerësimi nëse vendi meriton fillimin e negociatave për MSA – studim i cili është i ngjashëm me Opinionin që shërben për hapjen e negociatave për anëtarësimin. Raporti i fizibilitetit për Shqipërinë u publikua në 24 nëntor 1999.
Megjithëse nuk thuhej në mënyrë të hapur, Komisioni në këtë raport arriti në përfundimin se Shqipëria nuk ishte ende gati për të filluar negociatat për MSA-në. Problemet e evidentuara kishin të bënin me: 1) rendin publik dhe sigurinë në vend; 2) qeverisjen dhe zbatimin e ligjit; 3) nevojën për vazhdimin e stabilizimit makro-ekonomik dhe kryerjen e reformave strukturore.
Si rezultat, Shqipërisë iu kërkua paraqitja e një status raporti, në të cilin duhej të paraqiteshin masat e marra dhe ato të parashikuara, për të arritur progres në fushat e identifikuara, me afate të përcaktuara kohore. Në vijim Komisioni vazhdoi të mbikëqyrte reformat e ndërmarra nga Shqipëria, përpara se të rekomandonte hapjen e negociatave të MSA-së. Ky proces u bë i mundur vetëm 3 vjet më vonë.
Vështirësitë aktuale të Shqipërisë në kryerjen e reformave transformuese dhe demokratizuese, të cilave iu shtohet dhe kriza e gjatë politike mund të sjellin sërish skenarin e vitit 1999, që do të thotë se marrja e statusit të vendit kandidat të shtyhet deri në arritjen e progresit në disa nga fushat më kryesore të kriterit politik të Kopenhagenit.
FUND
Aplikimet për anëtarësim në BE – Rastet më interesante
Vendi
Aplikimi për anëtarësim
Opinioni i Komisionit/Raporti vlerësues
Rekomandimi i Komisionit
Vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit
Vende të valës së dytë të zgjerimit të BE
Greqia
12.07.1975
26.01.1976
Jo pozitiv
korrik 1976
Vende të valës së pestë të zgjerimit të BE – raundi i parë
Hungaria
31.03.1994
15.07.1997
Pozitiv
dhjetor 1997
Polonia
05.04.1994
15.07.1997
Pozitiv
dhjetor 1997
Republika Çeke
17.01.1996
15.07.1997
Pozitiv
dhjetor 1997
Estonia
24.11.1995
15.07.1997
Pozitiv
dhjetor 1997
Sllovenia
10.06.1996
15.07.1997
Pozitiv
dhjetor 1997
Qipro
03.07.1990
30.06.1993
Pozitiv
dhjetor 1997
Vende të valës së pestë të zgjerimit të BE – raundi i dytë
Letonia
13.10.1995
15.07.1997
13.10.1999
Jo pozitiv
Pozitiv
dhjetor 1999
Lituania
08.12.1995
15.07.1997
13.10.1999
Jo pozitiv
Pozitiv
dhjetor 1999
Malta
16.07.1990
09.1998
17.02.1999
Pozitiv
dhjetor 1999
Sllovakia
27.06.1995
15.07.1997
13.10.1999
Jo Pozitiv
Pozitiv
dhjetor 1999
Vende të valës së gjashtë të zgjerimit të BE
Rumania
22.06.1995
15.07.1997
13.10.1999
Jo pozitiv
Pozitiv
dhjetor 1999
Bullgaria
14.12.1995
15.07.1997
13.10.1999
Jo pozitiv
Pozitiv
dhjetor 1999
Vende kandidate
Kroacia
21.02.2003
20.04.2004
Pozitiv
03.10.2005
Maqedonia
22.03.2003
09.11.2005
Status por jo negociata
Turqia
14.04.1987
06.10.2004
Jo pozitiv
03.10.2005
Vende potenciale kandidate
Shqipëria
28.04.2009
09.11.2010
Mali i Zi
15.12.2008
09.11.2010
Serbia
22.12.2009
Bosnja dhe Hercegovina