Raportohet jozyrtarisht se në aksident kanë gjetur vdekjen të paktën tetë vetë si dhe rreth 35 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Dëshmitarët flasin për rreth 45 deri 50 udhëtarë si dhe shoferi i autobusit të KTEL-it Janinë, që ishte një shtetas grek dhe që nga Tirana po i çonte drejt Greqisë, në Athinë.Kurse të mbijetuar kanë arritur të dalin gjallë dhe pa dëmtime serioze trupore, pjesa tjetër e pasagjerëve.
Policia nuk jep të dhëna zyrtare për fatin e shoferit të autobusit të aksidentit. Kurse mediat greke raportojnë se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën me disa lëndime.
Sakaq, të plagosurit janë dërguar 7 në spitalet e Tepelenës, 4 në spitalin e Gjirokastrës ku dy ndodhen në gjendje kritike si dhe 13 në spitalin e Fierit.
Sakaq pak para mesnate në Spitalin Ushtarak të Tiranës mbërriti e plagosura e parë, një 50 vjeçare me emrin Sadije Koçiu, gjendja e të cilës ishte e rëndë për shkak të dëmtimeve në shtyllën vertebrale.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se është vendosur në gatishmëri për të përballuar pasojat e kësaj tragjedie rrugore.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20.00, të mbrëmjes së sotme në rrugën nacionale Fier-Tepelenë, në fshatin Ziaj, të komunës Fratar, afro 80 kilometra larg nga kufiri shqiptaro-grek.
autobusi i linjës Tiranë –Athinë, me targë greke INB 9900, me drejtues mjeti shtetasin grek Tomas Tçogas, si pasojë e humbjes së kontrollit mbi mjetin, ka rënë në humnerë, në një distancë lartësie rreth 100 metra.
Për menaxhimin e këtij aksidenti të rëndë dhe dhënien e ndihmës personave të dëmtuar, menjëherë janë angazhuar strukturat e Drejtorive të Policisë së Qarqeve Gjirokastër dhe Fier, si dhe të Komisariateve të Policisë Fier, Tepelenë dhe Ballsh.
Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar gjithashtu dhe rreth 100 forca të FNSH, si dhe forca të Repartit Special RENEA.
Po ashtu janë angazhuar shërbimi zjarrfikës, si dhe ai spitalor i rretheve Fier dhe Tepelenë.
Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është ngritur një grup pune, i cili po koordinon gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se nga ky aksident i rëndë kanë humbur jetën nëntë persona.
Ndërkohë nga forcat e policisë që ndodhen në vendngjarje, është bërë e mundur që të nxirren nga autobusi të paktën 20 pasagjerë, të cilët kanë marrë dëmtime të lehta dhe janë dërguar për të marrë ndihmën e parë pranë strukturave spitalore.
Në vendngjarje puna e strukturave të Policisë së Shtetit, konsistoi në përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga ky aksident i rëndë.
Ndërkohë grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë, në përfundim të veprimeve të kryera, do të bëjë dhe zbardhjen përfundimtare të shkakut dhe të rrethanave të këtij aksidenti.
Disa nga të mbijetuarit:
Brunilda Halili, 16 vjeçe. Frakull, Fier
Valbona Guma, 17 vjeçe, Frakull, Fier
Rina Boçi nga Lushnja
Daniela Papadhaki 34 vjeçe nga Gjirokastra
Ervin Mema, 34 vjeç nga Kavaja
Eduard Premçi, 29 vjeç
e.r/NOA
Në foto: Nje grua e plagosur ne aksidentin automobilistik ne aksin rrugor Fier-Tepelene, ne afersi te fshatit Ziaj te komunes se Fratarit, e shtruar ne spitalin e Fierit. Ne kete aksident kane humbur jeten 9 persona dhe rreth 40 te tjere jane plagosur. NOA/LSA
Lexoni gjithcka mbi ngjarjen tragjike