Zyrtare: 8 të vdekur e 41 të plagosur në autobusin e ALB Trans
Mallakastër, 8 Nëntor 2010 NOA Update – Janë ndërprerë kërkimet e Forcave Speciale dhe RENEA të Ministrisë së Brendshme në vendin ku ndodhi tragjedia rrugore me shumë të vdekur dhe të plagosur.
Bëhet e ditur se kërkimet e specialëve do të rifillojnë herët në mëngjes në kushte më të përshtatshme pune pasi të dalë dielli.
Dëshmitarët flasin për rreth 45 deri 50 udhëtarë si dhe shoferi i autobusit që ishte një shtetas grek.
Raportohet jozyrtarisht se në aksident kanë gjetur vdekjen rreth nëntë vetë si dhe 35 të tjerë kanë mbetur të plagosur.Kurse të mbijetuar kanë arritur të dalin gjallë dhe pa dëmtime serioze trupore, pjesa tjetër e pasagjerëve.
Policia nuk jep të dhëna zyrtare për fatin e shoferit të autobusit të aksidentit.
Sakaq, të plagosurit janë dërguar 7 në spitalet e Tepelenës, 4 në spitalin e Gjirokastrës ku dy ndodhen në gjendje kritike si dhe 13 në spitalin e Fierit.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se është vendosur në gatishmëri për të përballuar pasojat e kësaj tragjedie rrugore.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20.00, të mbrëmjes së sotme në rrugën nacionale Fier-Tepelenë, në fshatin Ziaj, të komunës Fratar.
autobusi i linjës Tiranë –Athinë, me targë INB 9900, me drejtues mjeti shtetasin grek Tomas Tçogas, si pasojë e humbjes së kontrollit mbi mjetin, ka rënë në humnerë, në një distancë lartësie rreth 100 metra.
Për menaxhimin e këtij aksidenti të rëndë dhe dhënien e ndihmës personave të dëmtuar, menjëherë janë angazhuar strukturat e Drejtorive të Policisë së Qarqeve Gjirokastër dhe Fier, si dhe të Komisariateve të Policisë Fier, Tepelenë dhe Ballsh.
Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar gjithashtu dhe rreth 100 forca të FNSH, si dhe forca të Repartit Special RENEA.
Po ashtu janë angazhuar shërbimi zjarrfikës, si dhe ai spitalor i rretheve Fier dhe Tepelenë.
Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është ngritur një grup pune, i cili po koordinon gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se nga ky aksident i rëndë kanë humbur jetën nëntë persona.
Ndërkohë nga forcat e policisë që ndodhen në vendngjarje, është bërë e mundur që të nxirren nga autobusi të paktën 20 pasagjerë, të cilët kanë marrë dëmtime të lehta dhe janë dërguar për të marrë ndihmën e parë pranë strukturave spitalore.
Në vendngjarje puna e strukturave të Policisë së Shtetit, konsistoi në përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve nga ky aksident i rëndë.
Ndërkohë grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë, në përfundim të veprimeve të kryera, do të bëjë dhe zbardhjen përfundimtare të shkakut dhe të rrethanave të këtij aksidenti.
Disa nga të mbijetuarit:
Brunilda Halili, 16 vjeçe
Valbona Guma, 15 vjeçe
Rina Boçi nga Lushnja
Daniela Papallaki nga Gjirokastra
Ervin Mema, 34 vjeç nga Kavaja
e.r/NOA
Në foto: Nje grua e plagosur ne aksidentin automobilistik ne aksin rrugor Fier-Tepelene, ne afersi te fshatit Ziaj te komunes se Fratarit, e shtruar ne spitalin e Fierit. Ne kete aksident kane humbur jeten 9 persona dhe rreth 40 te tjere jane plagosur. NOA/LSA
Lexoni gjithcka mbi ngjarjen tragjike