Mallakastër, 8 Nëntor 2010 NOA Update – Ka mbërritur dhe prononcimi zyrtar i Policisë së Shtetit lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi rreth orës 20.00, të mbrëmjes së sotme.
Zyrtarisht bëhet e ditur se nga strukturat e policisë është marrë njoftim në 20.00 se në rrugën nacionale Fier-Tepelenë, në fshatin Ziaj, të Komunës Fratar, autobusi i linjës Tiranë –Athinë, me targë INB 9900, me drejtues mjeti shtetasin grek Tomas Tsogas, si pasojë e humbjes së kontrollit mbi mjetin, ka rënë në një distancë rreth 100 metra.
Për menaxhimin e këtij aksidenti të rëndë dhe dhënien e ndihmës personave të dëmtuar, menjëherë janë angazhuar strukturat e Drejtorive të Policisë së Qarqeve Gjirokastër dhe Fier, si dhe të Komisariateve të Policisë Fier, Tepelenë dhe Ballsh.
Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar gjithashtu dhe rreth 100 forca të FNSH, si dhe forca të Repartit Special RENEA.
Po ashtu janë angazhuar shërbimi zjarrfikës, si dhe ai Spitalor i rretheve Fier dhe Tepelenë.
Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është ngritur një grup pune, i cili po koordinon gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se nga ky aksident i rëndë kanë humbur jetën 6 persona.
Ndërkohë nga forcat e policisë që ndodhen në vendngjarje, deri në këto momente është bërë e mundur që të nxirren nga autobusi 20 pasagjerë, të cilët kanë marrë dëmtime të lehta dhe janë dërguar për të marrë ndihmën e parë pranë strukturave spitalore.
Aktualisht në vendngjarje vazhdon puna e strukturave të Policisë së Shtetit, për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve të tjerë nga ky aksident i rëndë.
Ndërkohë grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë, në përfundim të veprimeve të kryera, do të bëjë dhe zbardhjen përfundimtare të shkakut dhe të rrethanave të këtij aksidenti.
e.r/NOA
Në foto: Nje grua e plagosur ne aksidentin automobilistik ne aksin rrugor Fier-Tepelene, ne afersi te fshatit Ziaj te komunes se Fratarit, e shtruar ne spitalin e Fierit. Ne kete aksident kane humbur jeten 9 persona dhe rreth 40 te tjere jane plagosur. NOA/LSA
Lexoni gjithcka mbi ngjarjen tragjike