English

Basha: Nuk besoj se do të festojmë ditë më të bukur se kjo

Bruksel, 8 nëntor, NOA – I pranishëm gjatë marrjes së vendimit historik të liberalizimit të vizave nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të BE-së, një vendim i marrë në mënyrë unanime nga ky këshill, ministri i Brendshëm Lulzim Basha uron shqiptarët për këtë ëndërr të realizuar duke theksuar se për të ardhur në këtë ditë të shënuar u përmbushën disa kritere strikte.

Ministri Basha tha nga Brukseli se nga 15 dhjetori të gjithë shqiptarët do të lëvizin përdrejt Evropës pa vizë, duke e cilësuar lëvizjen e lirë si një hap madhor për integrimin e Shqipërisë në Evropë.

Sipas ministrit Basha ky fakt i bën shqiptarët edhe më të lidhur me qytetarët evropianë, ndërsa një aspekt i rëndësishëm është se heqja e vizave u jep mundësinë të gjithë atyre që emigruan para disa vitesh drejt Evropës të heqin pengesën e dhimbshem të të qënurit larg familjes dhe të dashurve të tyre.

Ministri i Brendshëm shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit që duke kapërcyer pengesa edhe të pakalueshme përmbushën kriteret e Evropës, sa i përket sigurisë së kufijve, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Basha nuk la mënjanë as punonjësit e administratës shqiptare të cilët plotësuan të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për heqjen e vizave.

Një falënderim i ministrit shkoi edhe për të gjithë ata politikanë evropianë që u bënë nismëtarë të realizimit të kësaj ëndrre, si Zhak Baro, komisionerja Malmstrom, të gjithë vendet anëtare të BE-së, që treguan besimin e tyre tek Shqipëria dhe shqiptarët.

“Nuk besoj se në jetën tonë do të festojmë një ditë më të bukur se kjo”, tha ministri i Brendshëm në fund të përshëndetjes së tij nga Brukseli, pas vendimit historik të heqjes së vizave me BE-në.

mit/NOA
KOMENTE