English

Berisha: U krye! Heqja e vizave kartolina më e bukur për Krishtlindje e Vitin e Ri

Tiranë, 8 nëntor, NOA – “U krye”. Me këtë fjalë që shënjon gëzimin për një vendim të shumëpritur në gjuhën letrare të veriut, e ka nisur përshëndetjen e tij për lajmin e madh të heqjes së vizave, nga foltorja e Këshillit të Ministrave, kryeministri Sali Berisha, duke e cilësuar këtë vendim si nderimin më të madh, respektin më të thellë ndaj atyre, që 20 vjet më parë me dy gishtat lart mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës, nën moton “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Kryeministri Berisha i cili më herët e kishte pritur lajmin historik live mes një grupi studentësh, në përshëndetjen e tij të radhës drejtuar bashkëkombasve rivlerësoi vendimin e qeverive të vendeve anëtare të BE-së, si vendimin që shënon shndërrimin në realitet të ëndrrës më të bukur të të rinjve shqiptarë, të qytetarëve shqiptarë, shënon arritjen më të madhe për lirinë dhe dinjitetin e tyre, pas rënies së perdes së hekurt.

Ai e theksoi sakaq këtë vendim edhe si mesazhin më miqësor që kombet e Evropës, qeveritë e tyre u dërgojnë shqiptarëve, në 98-vjetorin e pavarësisë së vendit të tyre.

“Ne do të kremtojnë pavarësinë e vendit tonë me dinjitetin më të madh se kurrë. Ky vendim është urimi më i përzemërt, që kombet e Evropës u dërgojnë qytetarëve shqiptarë, në 20 vjetorin e shembjes së murit të Berlinit në Tiranë, e themelimit të pluralizmit, themelimit të forcës së parë politike opozitare të vendit, që do të shndërrohej në lokomotivën e integrimit të tij, vendim që është kartolina më e bukur e jetës që qytetarët shqiptarë marrin për festat e fundvitit, për krishtlindjet dhe vitin e ri”, deklaroi zoti Berisha.

Duke shprehur mirënjohjen për vendet e BE-së, ai garantoi se “qeveria qëndron e vendosur për bashkëpunimin më të ngushtë dhe total, në mënyrën që ky akt madhor, besimi historik ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve të mos krijojë në vendet, në qytetet e tyre, as dhe problematikën më të vogël, përkundrazi të shpërblehet ky besimi i madh me mirësinë e merituar”.

Kryeministri Berisha duke risjellë në vëmendje kujtesën e mbrapshtë historike theksoi se “Ne jemi të vetmit që do të shënonim në vitet ‘90 eksodet më biblike në shembjen e perdes së hekurt. Ne jemi të vetmit që numërojmë me dhjetëra e dhjetëra të rinj, të rënë në kufi, nga janari i vitit 90 deri në dhjetorin e tij. Trupa të zvarritur nëpër qytete dhe kjo vetëm e vetëm se diktatura donte me çdo kusht të terrorizonte shqiptarët”, tha kreu i qeverisë.

Andaj në këtë kontekst ai e gjeti këtë moment edhe si shprehjen e nderimit më të madh ndaj martirëve të lëvizjes së lirë, ndaj viktimave të shumta në ujërat e Otrantos apo malet e vendit, për shkak të mungesës së një vize.

Berisha ripërsëriti se ky vendim u bë i mundur vetëm pasi qeveria shqiptare me zero tolerancë vendosi para ligjit njëra pas tjetrës mbi 200 banda dhe grupe kriminale, që përbënin rrezik të vërtetë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për Evropën.

Ai ritheksoi se vendimi u bë i mundur pasi qeveria shqiptare me vendosmëri të madhe luftoi korrupsionin dhe u faktoi të gjithë partnerëve se suksesi i luftës kundër korrupsionit është një nga arritjet madhore të kësaj qeverie.

“Vendimi u bë i mundur pasi ne bëmë Shqipërinë një vend të preferuar, të respektuar, të sigurtë për qytetarët e vet dhe për mbarë Evropën dhe botën. Ky vendim është historik në rrafshin e besimit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por përbën gjithashtu një ogur shumë të bardhë për ekonominë shqiptare, pasi lëvizja e lirë është gjaku dhe qarkullimi i tij në një ekonomi”, nënvizoi kryeministri.

mit/NOA
KOMENTE