English

Bruksel, Basha: Shqipëria një hap para në bashkimin me Evropën

Bruksel, 8 nëntor, NOA, Update – I ftuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së BE-së ku sot u vendos përfundimisht se pas 15 dhjetorit shqiptarët do të lëvizin të lirë dhe pa vizë në hapësirën Shengen, ministri i Brendshëm Lulzim Basha duke u shprehur mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve anëtarëve të këtij këshilli, tha se heqja e vizave e çon Shqipëria një hap para në bashkimin e saj me Evropën.

“Vendimi i marrë këtë paradite për të hequr regjimin e vizave me Shqipërinë e sjell vendin tim një hap më pranë përmbushjes së objektivit tonë më kryesor të ribashkimit me Europën”, u tha ministri Basha, ministrave të BE-së.

Ai vlerësoi se vendimi i shumëpritur për shqiptarët shënon fundin e një sage të gjatë izolimi, sakrificash dhe përpjekjesh për liritë e mohuara, duke vendosur në vend njëherësh bashkë me lirinë e lëvizjes edhe dinjitetin europian të qytetarëve.

Basha e argumentoi vendimin me verifikimin e përmbushjes nga Shqipëria të një liste të gjatë kriteresh strikte, një përmbushje për të cilën sipas ministrit janë dashur përpjekje të mëdha, reforma të thella dhe transformime epokale.

Ministri i Brendshëm kujtoi se Shqipëria ka adoptuar dhe zbaton praktikat dhe standardet më të mira të kodit Shengen në policimin dhe sigurinë e kufirit, ndërsa sot më shumë se 1 milion qytetarë shqiptarë posedojnë pasaporta biometrike të standardit më të lartë.

Basha siguroi se ishte pikërisht lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, që e hoqi Shqipërinë nga rrugët e preferuara të trafikut të qenieve njerëzore dhe narkotikëve.

Por, Basha risolli në vëmenje se Shqipëria ka një bashkëpunim të shkëlqyer me INTERPOL-in.

Ai e cilësoi votën e ministrave të Brendshëm të BE-së si votëbesim ndaj reformave dhe rezultateve të pamohueshme duke garantuar se qeveria shqiptare është e vendosur për të vazhduar dhe konsoliduar me tej reformat e ndërmarra.

“Pas vendimit të sotëm Europa është më e lirë, më e drejtë dhe më e plotë se dje. Shqipëria është e përkushtuar të japë ndihmën e saj që ajo të jetë po kështu edhe më e sigurtë”, vlerësoi ministry basha.

Ai i siguroi ministrat e BE-së se qeveria shqiptare është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar, adresuar dhe zhbërë çdo pasojë të padëshirueshme të vendimit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Në fund të fjalës së tij drejtuar këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së pas marrjes së vendimit për heqjen e vizave për Shqipërinë e Bosnjen, ministri i Brendshëm shqiptar falënderoi këtë Këshill dhe anëtarët e tij, si dhe secilin prej vendeve anëtare të BE-së, Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian për mbështetjen dhe besimin për marrjen e këtij vendimi historik për popullin e shumëvuajtur shqiptar dhe qytetarët që provuan kaluarin më të vështirë të persekutimit në Evropë.

mit/NOA
KOMENTE