Tiranë, 8 Nëntor, NOA - Në përfundim të dy fazave të para të testimit të të burgosurve që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare, nuk u konstatua asnjë i burgosur i infektuar me virusin HIV që shkakton sëmundjen AIDS.
Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, sipas të cilës tashmë ka përfunduar me sukses faza e parë dhe e dytë e projektit “Për parandalimin e HIV/AIDS/IST”, në sistemin e Burgjeve dhe tashmë ai ka hyrë në fazën e tretë, e cila përfshin periudhën prill 2010-mars 2011 dhe është duke u zbatuar në institutet e edukimit dhe vuajtjes së dënimit në Durrës, Rrogozhinë, Ali Demi dhe Kavajë.
“Synimi kryesor i projektit, është rritja e ndërgjegjshmërisë së administratës së burgjeve, për krijimin e një ambienti sa më të përshtatshëm, për parandalimin e HIV/AIDS dhe sigurimi i informacionit të nevojshëm për popullatën e burgosur, për këto sëmundje infektive”, citohet në deklaratën përkatëse.
Duke shtuar se të burgosurit janë me risk të lartë në lidhje me infeksionin HIV, për shkak të nivelit të ulët të informacionit, si dhe marrëdhëniet seksuale apo sjelljet me risk që ata kanë pasur përpara se të burgoseshin.
Është me interes të theksohet fakti se mbi 90% e të dënuarve dhe paraburgosurve shprehën vullnetin e tyre për të kryer një testim vullnetar për HIV, duke ruajtur konfidencialitetin dhe nga rezultatet e para, asnjë i burgosur nuk ka rezultuar pozitiv.
Gjithashtu, është për t’u vënë në dukje se depistimet apo testimi i të dënuarve për sëmundje infektive, veçanërisht HIV/AIDS, bazohet në vullnetin e lirë të personave. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, nuk mund të detyrojë të dënuarit dhe të paraburgosurit të kryejnë testime të kësaj natyre, pasi cënon dinjitetin e personit.
Puna e stafit të social dhe shëndetësor të IEVP, është fokusuar në ndërgjegjësimin e kësaj kategorie për të përfituar nga mundësitë e ofruara të kryejnë testimin, në mënyrë që të mos rrezikojnë jetën e personave të tjerë.
Ndërsa sa u përket dy rasteve të përfolura nga media se paskan vdekur nga prekja e tyre me virusin HIV, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve citon se në kartelat e tyre klinike, vlerësimi ka qenë “pa probleme shëndetësore”.
“Situata e qetë dhe në kontroll, në të gjitha institucionet dhe nuk ka asnjë precedent për tu alarmuar”, citon deklarata e Burgjeve.
n.e/NOA