English

Idrizi: Liberalizimi plotësohet vetëm kur të përfitojnë edhe shqiptarët e Kosovës

Tiranë, 8 nëntor, NOA - Partia Drejtësi dhe Unitet apo e njohur ndryshe si partia që mbron të drejtat e popullsisë çame në tokat e saj në Çamëri, përshëndeti sot vendimin për liberalizimin e vizave, duke e cilësuar atë si një arritje të rëndësishme për rritjen e standardeve të jetesës e qytetarëve shqiptarë.

Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi se lëvizja e lirë është një moment që duhet vlerësuar me kujdes.

"Për Partinë Drejtësi dhe Unitet vendimi i sotshëm i Këshillit të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian është një arritje e rëndësishme për kombin shqiptar. Në mënyrë të veçantë, ndihen sot të gëzuar pikërisht ata persona që kanë familjarët, të afërmit, miqtë dhe paraardhësit jashtë Atdheut”, theksoi Idrizi.

Ai bëri thirrje, që të bjerë poshtë edhe muri që ndan vëllezërit shqiptarë nga Kosova të bjerë.

“Sot nuk është çasti, që vetëm të ndihemi të gëzuar, por është momenti që të bashkojmë fuqitë tona, në mënyrë që edhe vëllezërit shqiptarë nga Kosova t'i bashkohen kësaj nisme të Bashkimit Evropian. Diplomacia shqiptare duhet të japë kontributin e vetë në këtë drejtim dhe strukturat shtetërore duhet të ndihmojnë me përvojë dhe logjistikë institucionet e Kosovës për të arritur standardet e kërkuara, qoftë edhe përpara nisjes së udhërrëfyesit nga KE”, deklaroi kreu i PDU-së.

Sipas Idrizit, PDU do të vijojë të tentojë rritjen e cilësisë së shërbimeve për këta persona, me anë të krijimit të Komitetit Kombëtar të Diasporës, që tashmë merr një dimension të ri, duke u kthyer në domosdoshmëri.

Nga ana tjetër, Idrizi bëri thirrje që politika shqiptare të tregojë maturinë, që kanë treguar qytetarët shqiptarë, të cilët duke nisur nga dhjetori do të lëvizin lirshëm, me qëllim përafrimin e mëtejshëm dhe cilësor të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.

mit/NOA
KOMENTE