English

Klinton kundër Obamës?

Daily Telegraph shkruan se demokratët po kërkojnë nga Hillari Klinton të garojë kundër Obamës për presidencën në vitin 2012

Katër ditë pas zgjedhjeve për në Kongres në Shtetet e Bashkuara, kundërthëniet vazhdojnë. Diçka ka shkuar keq në mesin e demokratëve dhe reagimi pas humbjes duket se ka shtuar pakënaqësitë.

Në botë u krijua përshtypja se konferenca për shtyp e presidentit Obama pas humbjes së zgjedhjeve të mesmandatit ishte një lloj pranimi se kishte dështuar ai personalisht. Por, nuk është parë nga të gjithë kështu. Presidenti ka thënë se ishte faji i ekonomisë, duke nënkuptuar se ishte faji i zgjedhësve që nuk e kanë parë një gjë të tillë. Me gjithë përpjekjet e mediave të majta që ta mbështesin presidentin Obama, duket se zgjedhësit nuk e kanë kuptuar. Për zgjedhësit faji është te super-shteti që ai ka krijuar, te shpenzimet e tepërta, burokracia e zgjeruar dhe politikat kundër papunësisë, që nuk kanë funksionuar dhe vetëm sa kanë shtuar zemërimin e njerëzve. Nëse Obama dëshiron të jetë president vetëm për një mandat, atëherë ai po shkon në drejtimin e duhur. Zemërimi është rritur edhe nga vendimi i presidentit për të nisur udhëtimin e tij në Azi. Turneu, sipas zgjedhësve, është largimi i presidentit nga vija e fronit. Ai është kritikuar gjerësisht dhe për faktin se po shkon në një vend të goditur së fundi nga terrorizmi, çfarë e rrit së tepërmi vlerën e operacioneve të sigurisë për presidentin gjatë udhëtimit. Kjo shihet si shpenzim i tepërt në kurrizin e taksapaguesve amerikanë. Kundërshtarët republikanë kanë marrë revansh kundër presidentit. Por, jo vetëm ata. Mes atyre që kanë nisur kritikat ndaj presidentit janë dhe njerëz nga partia e tij. Shifrat më të fundit tregojnë se papunësia vazhdon të mbetet e lartë, 9.5 për qind, derisa të ardhurat e familjeve po tkurren e janë të pasigurta. Një president zgjidhet që t’u japë shpresë këtyre njerëzve, por presidenti Obama jo vetëm që ka dështuar në këtë mision, por duket se çdo ditë e më shumë largohet nga ky grup njerëzish. Demokratët janë të shqetësuar për një gjë të tillë. Qëndrimet e shumë mbështetësve të Hillari Klintonit në Nju Jork janë të qarta. Barak Obama nuk mund të fitojë në garën presidenciale të vitit 2012, me përjashtim të skenarit kur republikanët zgjedhin një kandidat që është figurë shumë kundërthënëse. Në këto kushte, demokratët kërkojnë nga zonja Klinton të japë dorëheqje si Sekretare Shteti dhe të deklarojë se do të garojë në vitin 2012. Një gjë e tillë nuk do të jetë precedent. Në vitin 1980 Ted Kenedi shpalli kandidaturën përballë presidentit në detyrë Xhimi Karter. Kenedi humbi, por po kështu humbi dhe Karteri në zgjedhje. Obama po krahasohet gjithnjë e më shumë me ish-presidentin Karter. Ky është precedenti që figura të rëndësishme demokratësh kërkojnë ta ndjekë zonja Klinton. Klinton ka në favor të saj kohën. Gjithashtu makineria Klinton është në punë dhe mbahet gjallë nga bashkëshorti, Bill Klinton, i cili mbetet njeriu më i mbështetur në Amerikë. Fakti që këta skenarë po diskutohen gjerësisht, është shenjë e rrëmujës dhe vështirësive ku gjendet zoti Obama. Përderisa duket se ai nuk po e kupton se çfarë i ka zhgënjyer votuesit, nuk është çudi pse nuk e kupton dhe zhgënjimin e partisë së vet. E, gjendja vetëm mund të përkeqësohet.

KOMENTE