Bruksel, 8 nëntor, NOA – Vendimin për heqjen e vizave me BE-në për Shqipërinë dhe Bosnjen, një vendim që bashkoi njëzëri në favor të dy vendeve të Evropës Juglindore, të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian e përshëndetën në një konferencë të përbashkët për shtyp edhe komisionerja për Zgjerimin Cecilia Malmstrom dhe përfaqësuesi i presidencës Belge të Bashkimit Evropian, M.Wethelet.
Komisionerja Malmstrom e cilësoi këtë vendim të rëndësishëm të BE-së për qytetarët shqiptarë e boshnjakë si një lajm të mirë, që do t’i ndihmojë të dy popujt t’i afrohen Evropës e të udhëtojnë në hapësirën Shengen pa patur nevojë për një vizë.
“Heqja e vizave është një lehtësi për të gjitha vendet e Ballkanit, e në këtë kontekst, Malmstrom garantoi se kjo lëvizje e lirë do të monitorohet nga vendet e BE-së, duke siguruar se për këtë proces do të ketë një bashkëpunim të ngushtë dhe partneritet me të dyja vendet e sapo liberalizuara.
Këtë garanci komisionerja Malmstrom tha se e mori edhe nga ministrat e Brendshëm të Shqipërisë e Bosnjes, të cilët ndodheshin në sallën ku këshilli i ministrave të Brendshëm të BE mori vendimin për heqjen e vizave për Shqipërinë e Bosnjen.
Malmstrom e quajti një sukses të të dyja vendeve të Evropës juglindore vendimin e marrë sot nga BE për heqjen e vizave.
Malmstrom theksoi me heqjen e vizave, si Shqipëria dhe Bosnja janë të ndërgjegjshme për problemet dhe përgjegjësitë që sjell ky vendim, duke iu referuar abuzimit që i bënë heqjes së vizave qytetarët e Serbisë dhe Maqedonisë.
Ndërsa M.Wethelet, kreu i presidencës belge të BE-së, bëri me dije se BE me vendimin e sotëm deshi të evidentojë mesazhin se u realizuan objektivat e kërkuar nga të dyja vendet, duke garantuar se gjithçka do të shkojë mirë në këtë proces, që të mos ketë shkelje të detyrimeve që rrjedhin prej lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen.
Ai informoi se në 12 nëntor një grup nga BE do të shkojë në Bosnje dhe Shqipëri për të shpjeguar këtë proces e për të bërë të mundur, që të mos ndodhë ajo që ndodhi me Serbinë e Maqedoninë.
Në këtë suazë, përfaqësuesi i presidencës Belge të BE-së, bëri me dije se “Do të ndodhë diçka shumë e keqe nëse do të bëhen shkelje të afateve kohore, andaj ai përsëriti se do të ketë pasoja për të gjithë ata që abuzojnë me liberalizimin e vizave, duke garantuar se BE do të marrë çdo masë për ta parandaluar një abuzim të mundshëm me lëvizjen e lirë.
Sipas Wethelet, çështjet me të cilat mund të abuzohen janë të njohura dhe lidhen me kriminalitetin, kërkimin e azilit politik, një pikë për të cilën ai shprehu bindjen dhe dëshirën që të mos i përngjante asaj përballjeje me problemet që pasuan heqjen e vizave më herët për Serbinë e Maqedoninë.
mit/NOA