English

Ministri i Ekonomisë: 500 milionë USD investime për hidrokarburet

Tiranë, 8 Nëntor, NOA – Zv/kryeministri dhe Ilir Meta mori pjesë sot në simpoziumin e 6 shkencor ndërkombëtar “Basenet sedimentare dhe dinamika e zhvillimit të tyre”, në kuadër të programit ndërkombëtar të Litosferës, i zhvilluar nga Universiteti Politeknik i Tiranës, me mbështetjen e UNESCO.

Gjatë tij, Meta shprehu vlerësimin për rezultatet pozitive të reformës së ndërmarrë nga qeveria shqiptare në sistemin e kërkimit shkencor në vend dhe për kontributin e rëndësishëm që institucionet kërkimore kanë dhënë deri më sot për zhvillimin ekonomik.

Ai shprehu vullnetin e plotë të qeverisë për të përkrahur në mënyrë të vazhdueshme zgjerimin dhe forcimin e aktivitetit shkencor në vend.

“Unë besoj se organizimi i këtij simpoziumi i shërben kërkimit shkencor dhe interpretimit të shumë fenomeneve që vërehen sot në basenet sedimentare në mbarë botën, e kryesisht atyre të lidhura me burimet energjetike”, u shpreh Meta.

Ai vlerësoi faktin se dikasteri që ai drejton, në bashkëpunim me qarqet akademike dhe aktorët e tjerë të interesit, ka hartuar një bazë të konsoliduar politikash dhe programesh, si Strategjia Kombëtare e Energjisë dhe Strategjia e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve.

Në këtë drejtim, Meta theksoi faktin se industria e naftës dhe gazit ka garantuar rreth 10 për qind rritje të prodhimit në vit, si rezultat i ristrukturimit të shoqërive të naftës, zbatimit të marrëveshjeve hidrokarbure dhe përdorimit të teknologjive të reja të kërkim-shfrytëzimit.

Përsa i përket investimeve për kërkim-prodhim në sektorin e hidrokarbureve, ministri i Ekonomisë, tha se ato kanë kaluar vlerën e 500 milionë dollarëve.

”Investimet e kërkim-prodhimit në këtë sektor e kanë kaluar vlerën e 500 milion dollarëve. Gjithashtu, projektet dhe investimet prioritare në sektorin hidrokarbur në të ardhmen do të drejtohen në aplikimin e teknologjive të avancuara për kërkimin dhe nxjerrjen e naftës nga vendburimet e njohura dhe vlerësimin e atyre te reja në basenet sedimentare”, u shpreh Meta.

n.e/NOA

KOMENTE