Nga dëshira që të varroset në vendlindje, akoma pa vdekur e ndërton varrin e vet
Shkup, 8 nëntor, NOA/ Nga prof. Rexhep Abazi - Diçka jo e zakontë ndodh në Medvegjë. Është interesant veprimi i Abaz Abazit nga fshati Tupallë, njeriut i cili e ka ndërtuar varrin e vet dhe të bashkëshortes së tij për së gjalli.
Tek shqiptarët deri në këto kohërat e reja as që ishte zakon të ndërtoheshin e të rregulloheshin varrezat, për arsye se, sipas predikimit te fese, një gjë e tillë nuk preferohej nga ana fetare dhe llogaritej ndoshta edhe si mëkat.
Mirëpo në kohërat më të reja edhe shqiptarët kanë filluar të ndërtojnë dhe të rregullojnë varrezat, kuptohet disa prej tyre. Mirëpo, kjo që ka bërë Abazi është diçka interesante, andaj një ditë të bukur vjeshte i bëra një vizitë në shtëpinë e tij për të biseduar se çfarë e shtyu atë që para se të vdiste të rregulloj vendin dhe varrin se ku do të varrosej.
Dhe për çudi nga biseda me te dhe me bashkëshorten e tij, doli një gjë shumë interesante që e kishte motivuar atë që të bëj një veprim të tillë.
Në të vërtetë, Abazi, akoma është i forte dhe me shëndet të mire, e po kështu edhe bashkëshortja e tij Zejnija ( nga familja Syla e Sfircës), por thiç thot ai… dekën e kemi hak dhe më ngatë se këmishën e veshur… andaj ajo na vjen patjetër dhe duhet menduar gjithmonë për të.
“Unë kam lindur në Tupallë, jam rritur në Tupallë, kam kaluar tërë jetën time këtu. Për mua vend më të mire nuk ka. Kam kaluar shumë vende të tjera, kam qenë edhe në Zvicër e gjetiu, por sikur këtu nuk më duket askund. E pasi që është kështu, e që një ditë duhet vdekur, unë kam dëshirë që vdekja të më gjejë këtu, në vendin tim, ku më jetuan dhe më vdiqën të gjithë të parët e mi. Kjo është dëshira ime dhe e lus All llahun e madhëruar që këtë deshire të ma mundësoj dhe plotësoj. Dua që përgjithmonë të jem në vendin tim. Këtu në këtë vend e kam të varrosur nënën dhe babain, por fatkeqësisht jo edhe gjyshin, të cilit nuk i dihet as varri sepse ka vdekur në Maqedoni si i burgosur dhe do të jipja krejt çka kam sikur të mësoja se ku i kanë mbetur eshtrat, sepse do shkoja do i merrja e do i varrosja në Tupallë, thot me mall xha Abazi.
Pasi që kemi një familje të madhe, thot baca Abaz, sepse i kemi rritur katër djem dhe një vajzë, të cilët nuk jetojnë këtu, njëri djalë dhe vajza jetojnë në Kosovë, kurse dy djemtë me familjet e tyre jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Kemi edhe 18 nipa e mbesa të cilët i duam shumë, prandaj i lusim por edhe i obligojmë që këtë amanet tonin ta cojnë në vend, që kur të vdesim të na varrosin në varrezat që vet i rregulluam dhe kur të vijnë në vendlindje, të kujdesen për mirëmbajtjen e tyre. Besojmë se këtë porosi ata do ta kryejnë sepse ne i duam shumë, por edhe ata na duan neve. Kjo është dëshira e jonë e vetme tani pasi që kemi arritur një pleqëri të thellë, nga se ne e deshtëm dhe e duam vetëm vendlindjen tonë, qoftë edhe të vdekur, duam të mbesim në të.
Zonja Zejnije thot …në fillim mu duk kjo punë e plakut si e pa vend, por me të kaluar të kohës kur fillova të mendoj më thellë, e pashë se e kishte mirë andaj në tërësi e mbështeta dhe e mbështes për këtë veprim të mire, por mendoj edhe atdhetar”, thotë ai.
Përndryshe duhet cekur se kjo grua afro 80 vjeçare, e pashkolluar, sepse siç thot ajo …atëherë as që dinim se ka shkollë …, është shumë intelegjente. Ajo është në gjendje që për një vit në të ardhmen të tregoj çdo festë fetare e tjetër, të llogarisë dhe tregoj datat, të tregoj për ngjarjet e së kaluarës, me një përpikëri dhe precizitet shumë të saktë, pa i pasur të shënuara gjërat askund. Ka një memorie dhe një intelegjencë të cilën rrallë se e sheh tek ndokush tjetër, sidomos për moshën e saj.
Kështu dalëngadal i erdhi fundi kësaj vizite jo të zakonshme tek familja e Abaz Sejdi Abazit dhe bashkëshortes së tij Zejnisë nga Tupalla, pas së cilës edhe tek unë u zgjua një mendim kurreshtar, i cili filloi t’i jepte të drejtë veprimit të xha Abazit, sepse vendlindja ose duhet dashur me zemër e me shpirt ose i mbesim borgj edhe në këtë edhe në jetën tjetër.
NOA-INA