English

Nis procesi i regjistrimit të Njësive Ekonomike Jobujqësore

Tiranë, 8 nëntor, NOA - Sot nisi procesi i regjistrimit të Njësive Ekonomike Jobujqësore në Shqipëri dhe më këtë rast ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo ishte i ftuar në uorkshopin përkatës, të organizuar nga Instituti i Statistikave, INSTAT.

Ky regjistrim do të zgjasë për 4 javë gjatë gjithë muajit nëntor 2010 dhe do të kryhet në të gjitha njësitë ekonomike aktive që përmban Regjistri i Ndërmarrjeve, të cilat ushtrojnë aktivitet në gjithë territorin e Shqipërisë dhe që kanë marrë kod identifikimi, NUIS nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe QKR.

Në këtë regjistrim përfshihen edhe subjektet e administratës publike, OJF-të dhe organizatat ndërkombëtare.

“Ky regjistrim i njësive ekonomike jobujqësore është një ndër tre regjistrimet e mëdha që do të kryhen në të ardhmen e afërt, pra regjistrimi i ndërmarrjeve jobujqësore, bujqësore, dhe regjistrimi i popullsisë dhe banesave, që do të mbahet në prill të vitit të ardhshëm. Të tri këta Censuse janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, për të cilët është punuar nga INSTAT. Qeveria do të mbështesë INSTAT-in për këtë proces të rëndësishëm, për nxjerrjen e të dhënave që na shërbejnë ne për marrjen e politikave social-ekonomike të mirëfillta për biznesin; shërbejnë për arritjen e disa standardeve që tani janë rutinë në BE dhe ne do të na ndihmojnë për të plotësuar ato kritere, që duhen për të hedhur hapa të tjerë në rrugën drejt integrimit në BE; i shërbejnë edhe sektorit privat këto të dhëna të përditësuara dhe të detajuara mbi situatën e biznesit. Sipas rekomandimeve të Bashkimit Europian për njësitë ekonomike duhet të ndërtohen tre regjistra bazë: Regjistri i njësive ligjore, Regjistri i Ndërmarrjeve dhe Regjistri i Njësive lokale. Ky regjistër shërben vetëm për qëllime statistikore dhe identifikon qartësisht njësitë, në mënyrë që të lejojë marrjen e informacionit për to nëpërmjet burimeve administrative.

Përveç mbështetjes nga buxheti i shtetit, gjej rastin këtu të falenderoj Komisionin Evropian dhe Agjencinë Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim për mbështetjen financiare që ka dhënë për Shqipërinë në zhvillimin dhe përmirësimin e statistikave zyrtare në vend”, tha në fjalën e tij, ministri Genc Pollo.

n.e/NOA

KOMENTE